Hapja e sesionit të ri parlamentar u përshëndet dhe nga Eduard Kukan, kreu i Delegacionit për Ballkanin në Parlamentin Europian.

Përmes një komunikate për shtyp, Kukan e cilësoi vendimin e socialistëve për të rinisur aktivitetin parlamentar në Kuvend si një hap pozitiv drejt normalizimit të dialogut politik në vend dhe shpreson se Kuvendi do të bëhet forumi kryesor për rinisjen dhe stimulimin e dialogut të nevojshëm nga të gjitha forcat politike.

Sipas Kukan, bashkëpunimi për miratimin e legjislacionit të kërkuar për integrimin europian të vendit dhe zbatimi i 12 prioriteteve kyçe që përcaktoi Komisioni për Shqipërinë, përfshirë këtu dhe një reformë zgjedhore efikase për të ardhmen, janë detyrat kryesore ku duhet të fokusohen partitë politike.

Në fund të komunikatës për shtyp, kreu i Delegacionit për Ballkanin përsërit se përparimi i vendit drejt Bashkimit Europian është në duart e udhëheqësve politikë shqiptarë, të cilët duhet të gjejnë një konsensus të qartë për axhendën europiane.

Top Channel