Ministrja kosovare e Tregtisë, Mimoza Kusari Lila ka deklaruar se marrëveshja për vulat doganore me Beogradin nuk nënkupton heqjen menjëherë të masave të reciprocitetit.

“Vendimi për reciprocitetin do të ndryshojë në momentin kur të jenë plotësuar të gjitha kushtet”, ka deklaruar Lila.

Ministrja ka saktësuar se tani do të mbikëqyren të gjithë elementët e implementimit të marrëveshjes për të marrë vendime të mëtejshme.

Lila, njëkohësisht zëvendëskryeministre e Kosovës, ishte zyrtarja që firmosi vendosjen e masave të reciprocitetit kundrejt Serbisë, të cilat ndalojnë hyrjen e mallrave serbe në Kosovë.

Bisedimet, arrihen dy marrëveshje në Bruksel

Në Bruksel ka përfunduar raundi i radhës i dialogut Kosovë – Serbi. Bisedimet e së premtes, ndonëse në një atmosferë të tensionuar, kanë arritur të përfundojnë me dy marrëveshje, një për vulat doganore dhe për regjistrin kadastral. Sipas palëve pjesëmarrëse, zbatimi i marrëveshjes për vulat pritet të ndodhë shumë shpejt.

Kreu i delegacionit serb në bisedime, Borislav Stefanovic, tha se me njohjen e vulave, pritet që Kosova “brenda 7-10 ditësh të heqë embargon ndaj mallrave të Serbisë” dhe të lirojë mundësinë e qarkullimit të lirë të mallrave nga Serbia në, siç tha ai, “pjesën tjetër të territorit të Serbisë”.

Ndërkaq, sipas Telegraf, kryenegociatorja kosovare, Edita Tahiri, duke konfirmuar arritjen e marrëveshjes, tha se kjo e fundit do të thotë “heqje e embargos shumëvjeçare që Serbia u ka bërë mallrave të Kosovës”, në kundërshtim me, siç u shpreh, parimet e tregtisë së lirë në rajonin e CEFTA-s.

Top Channel