Wikileaks ka zbuluar informata interesante sa i përket raporteve
Francë-Serbi në lidhje me Kosovën. Sipas informatave të fundit që janë
publikuar, Franca ia ka bërë të qartë Serbisë se nuk mund të hyjë në BE
pa e pranuar pavarësinë e Kosovës.

Në një letër të dërguar nga ambasada e SHBA-së në Bruksel përmendet një raport nga takimi i drejtorëve politikë të Kuintit (Gjermanisë, Francës, Italisë, Britanisë së Madhe dhe Sekretariatit të Këshillit të Evropës) që është mbajtur më 11 janar 2010, ku Serbia “ishte dekurajuar fuqishëm” në kërkesën e saj që në OKB të fillojnë bisedimet për statusin e Kosovës.

Ambasadori i SHBA-së në BE, Uiliam Kenard kishte thënë se qëndrimi i Francës është po ashtu që në formularin për aplikim të Serbisë detyrimisht qëndron njohja e pavarësisë së Kosovës. Drejtori politik i Francës, Rolan Galarazh kishte thënë po ashtu se Franca nuk dëshiron një Qipro të re.

Merkel i vendos kushte Serbisë

Kancelarja
gjermane, Angela Merkel i ka dhënë Serbisë tri porosi për progres para
marrjes së statusit të kandidatit: rezultate në bisedimet me Kosovën,
shtrirjen e EULEX-it dhe veprimin në tërë territorin dhe heqjen e
institucioneve paralele.

Udhëheqësja e shtetit gjerman, jo shumë e
relaksuar, ka folur në mënyrë të hapur gjatë vizitës së saj në Serbi.
Ajo ka thënë se nuk ka frikë për asgjë dhe nuk mund të ketë frikë as për
veriun.

Sipas saj, politikanët ekzistojnë për të zgjidhur
probleme të vështira. Merkel ka treguar se në Gjermani jetojnë rreth 300
mijë serbë dhe se shteti i saj e sheh të ardhmen e Serbisë në Bashkimin
Evropian, por edhe të vendeve të rajonit.

“Gjermania ka pranuar
Republikën e Kosovës, kurse Serbia nuk e ka bërë këtë. Në këtë situatë
na duhet një progres, rezultate në dialog”, ka thënë ajo.

Top Channel