Limaj, konfirmohet akuza

03/09/2011 08:35

Është konfirmuar aktakuza për krime lufte ndaj Fatmir Limajt, deputetët i
Kuvendit të Kosovës, dhe i njohur gjatë luftës si Komandant “Çeliku”.

Aktakuza është konfirmuar edhe për nëntë ish pjestarë të UÇK-së, disa prej të cilëve janë duke u mbajtur në paraburgim.

Siç thuhet në një njoftim të misionit europian aktakuza është konfirmuar nga një gjykatës i EULEX-it kundër të pandehurve: Arben, Naser e Nexhmi Krasniqi, Behlul e Fatmir Limaj, Refki Mazrreku, Naser, Sabit e Shaban Shala dhe Besim Shurdhaj.

Aktakuza i ngarkon të gjithë këta në pika të ndryshme me akuza për krime lufte kundër popullatës civile dhe robërve të luftës, që supozohet të jenë kryer nga fillimi i vitit 1999 deri në mesin e qershorit 1999 kundër civilëve serbë dhe shqiptarë.

Po ashtu, aktakuza ngarkon të pandehurit se kanë kryer krime edhe kundër pjesëtarëve të burgosurve të ushtrisë serbe dhe policëve serbë të mbajtur në një qendër të improvizuar paraburgimi nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës e cila ndodhej në fshatin Kleçkë, thuhet në njoftimin e EULEX-it.

Avokati i deputetit Fatmir Limaj, Tomë Gashi i ka thënë Top Channel përmes telefonit se “mbrojta pret që seanca të mbahet sa më shpejt për shkak se një pjesë e të akuzuarve është në paraburgim”.
EULEX-i disa muaj më parë kishte lëshuar një fletarrest për disa ish pjestarë të UÇK-së në mesin e të cilëve gjendej edhe emri Fatmir Limaj, por deri më tani fletarresti nuk është zbatuar për shkak të imunitetit që e ka si deputet.

Më 24 gusht Limaj ishte paraqitur në Gjykatën e Qarkut, në seancën për konfirmimin e aktakuzës, dhe duke u bazuar në një intervistë të një zyrtari të EULEX-it, ai ka deklaruar se “EULEX-i po e dëshiron kokën e tij”.

Top Channel