Policia e Republikës së Kosovës rekruton pjesëtarë të rinj. Një fletë konkursi e vendosur në hyrje të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë tërheq vëmendjen e shumë qytetarëve.

Kriteret e paraqitura në këtë konkurs janë të thjeshta, mjafton të jesh shtetas i Republikës së Kosovës, të mos kesh të kaluar kriminale dhe të kesh shkollimin e mesëm të përfunduar. Por fazat nëpër të cilat kalojnë të përzgjedhurit janë më të ndërlikuara.
 
“Do të kryhet testi me shkrim, testi fizik, testi mjekësor, intervista, verifikimi i të kaluarës për cdo person dhe pas përfundimit të këtyre, fituesit do të adresohen tek Akademia e Policisë për të kryer trajnimet. 100 deri në 120 do të jetë numri që do të pranohet”, thotë Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës.

Motivi që i shtyn të rinjtë të bëhen pjesë e policisë nuk është thjeshtë dëshira për t’u bërë anëtarë të një institucioni sic është policia. Papunësia është një fenomen që po rëndon shoqërinë kosovare ndaj hapja e një vendi pune është me rëndësi për kryefamiljarët.

Numri i personave që duan të bëhen pjesë e policisë është mjaft i lartë. Konkursi është hapur me 25 gusht ndërsa deri më sot me 1 shtator kanë aplikuar 1000 persona, ndërkaq aplikacionet i kanë tërhequr afër 8000

Ende nuk dihet se kur do të përfundojë procesi i përzgjedhjes së kandidatëve. Kjo sipas burimeve zyrtare varet nga numri i kandidatëve që aplikojnë pasi cdo aplikacion duhet të verifikohet dhe kjo mund të marrë kohë.

Top Channel