Zonat e varfra, papunësi minimale

21/08/2011 09:15

Aktualisht, në Gjermani papunësia është në masën 7 për qind dhe kjo konsiderohet një rekord historik. Por në Dibër, papunësia është edhe më e ulët, të paktën sipas qeverisë.

Kur papunësia bie në 6 apo 7 për qind të forcës së punës, kjo do të thotë se ekonomia është në gjendje të shkëlqyer. Në shumë vende të zhvilluara, një normë e tillë papunësie është diçka e rrallë. Ajo ndodh në periudha të shkurtra kohore kur ekonomia gjendet në ditët më të mira. Teorikisht, shoqërohet me inflacion, pasi numri i vogël i krahëve të punës të lira sjell rritjen e pagave dhe të çmimeve.

Natyrisht, ky nuk është rasti i Shqipërisë. Vendi ynë ka aktualisht një normë papunësie zyrtare prej 13.4 për qind, shifër që nuk ka ndryshuar përgjatë viteve. Por është me të vërtetë e çuditshme që zonat që gjerësisht njihen si më të varfrat në vend, kanë norma papunësie dy herë më të ulëta sesa mesatarja e vendit. Berati, ku përfshihet edhe rajoni malor i Skraparit, rezulton me normë papunësie 8.2 për qind. Këto janë norma papunësie, të krahasueshme me Gjermaninë në periudhë bumi ekonomik. Aktualisht, në Gjermani papunësia është në masën 7 për qind dhe kjo konsiderohet një rekord historik.

Instituti i Statistikave raporton se të papunët në Dibër përbëjnë 6.1 për qind, në Kukës janë vetëm 7 për qind dhe në Fier janë 7.1 për qind. Papunësia rezulton më e lartë në zonat më të zhvilluara të vendit, ato që kanë normë urbanizimi më të lartë sesa mesatarja, aty ku është përqendruar industria dhe tregtia. Ultësira Perëndimore duket se është më e mbrojtur nga papunësia sesa zonat e thella malore, së paku në rast se marrin për bazë statistikat zyrtare, të cilat i referohen Anketës së Forcave të Punës dhe të dhënave të Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.

Durrësi, ka papunësi 18.2 për qind, Shkodra 20 për qind dhe Lezha, 17 për qind. Norma e papunësisë, ndonëse në çdo vend të botës do të shërbente si matje për cilësinë e jetesës, në rastin e Shqipërisë nuk vlen. Sipas Institutit të Statistikave, të ardhurat mesatare të familjeve tregojnë pikërisht të kundërtën. Zonat me papunësi më të ulët, janë ato më të varfra dhe qarqet me papunësi më të lartë, janë më të pasurat. Dibra ka normë papunësie 6 për qind, ndërsa të ardhurat mesatare të familjeve në këtë zonë janë sa 70 për qind e mesatares kombëtare. Ndryshe ndodh në Vlorë, ku papunësia zyrtarisht është 12.1 për qind, por të ardhurat e familjeve janë sa 120 për qind e mesatares kombëtare. Norma e papunësisë zyrtare është në përputhje me nivelin ekonomik të qarkut në pak raste.

Norma e papunësisë

Në Shqipëri konsiderohen të papunë ata njerëz që jetojnë përgjithësisht në zonat urbane, nuk kanë punësim apo vetëpunësim dhe kanë kërkuar “aktivisht” punë gjatë vitit të fundit. Ata që jetojnë në fshat konsiderohen automatikisht të vetëpunësuar, pavarësisht nëse kërkojnë apo jo “aktivisht” punë.

Kjo shpjegon edhe çudinë shqiptare të papunësisë së ulët në rrethet më të varfra të vendit. Dibra, Kukësi apo Fieri janë qarqet me nivelin më të ulët të urbanizimit në vend. Në Dibër, ende vetëm 18 për qind e popullatës jeton në qytete, ndryshe nga Tirana ku 73 për qind e popullatës është urbane.

Banorët e qyteteve kanë një të drejtë që banorët e fshatit nuk e kanë: ato mund të regjistrohen si të papunë aktivë. Rrjedhimisht, norma e papunësisë së regjistruar dhe që qeveria e pranon si të tillë, është më e lartë.

Top Channel