Para vizitës në Kroaci e Serbi, Merkel thotë fjalë të qarta: Nuk ka perspektivë evropiane për rajonin, pa përpjekje të të gjitha palëve, megjithë plagët e së shkuarës.

“Dialogu me Kosovën duhet të rinisë”, thotë Merkel. Në mesazhin javor kancelarja gjermane, Angela Merkel është fokusuar tek vizita e saj në Kroaci dhe Serbi.

Kroacia në vitet e fundit ka zhvilluar bisedimet e anëtarësimit dhe ato u mbyllën këtë verë.

“Për këtë arsye, unë do të flas me kryeministren e atjeshme para së gjithash për vazhdimin e proçesit të ratifikimit nga shtetet e tjera anëtare dhe për detyrat, që ka përpara Kroacia deri në anëtarësimin në BE”, është shprehur ajo.

Merkel i kushtoi vëmendje të posaçme edhe vizitës në Serbi.

“Natyrisht unë gëzohem edhe për vizitën në Serbi, sepse Serbia dhe Gjermania kanë me njëra-tjetrën marrëdhënie të mira bilaterale. Serbia ka bërë arritje të konsiderueshme në muajt e vitet e fundit për të përshkuar rrugën drejt Bashkimit Evropian. Këtu bën pjesë para së gjithash, arrestimi i të dyshuarit për krime lufte, Mlladiç dhe Haxhiç dhe ekstradimi i tyre në Gjykatën e Hagës”, shprehet Merkel.

“Nga ana tjetër sot ka sërish tensione mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Dhe për këtë arsye do të jetë njëra nga detyrat e mia, që të bëj të qartë se dialogu me Kosovën duhet të rinisë sërish. Nuk ka perspektivë evropiane për këtë rajon, po qe se nuk ndërmerren të gjitha përpjekjet, megjithëse plagët e së shkuarës janë të thella dhe ende vazhdojnë të dhembin”, theksoi ajo.

Top Channel