Teksa veriu i Kosovës dhe pikat kufitare tashmë janë nën kontrollin e forcave të KFOR-it policia e Mitrovicës raporton për situatë të qetë në veri të vendit. Zëdhënësi i policisë, Besim Hoti thotë se në dy javët e fundit është reduktuar në masë të madhe kontrabanda me derivate.

Hoti thotë se problemi i vetëm tani për tani është kundërshtimi i banorëve serbë të fshatit Prilluzhë në komunën e Vushtrrisë të cilët me atë të protestave po tentojnë të pengojnë ndërtimin e urës e cila kalon nga ky fshat dhe lidh 12 fshatra shqiptarë përreth.

“Policia është prezente që prej fillimit të ndërtimit të urës, megjithëse çdo ditë ka 40-50 persona që vazhdojnë të kundërshtojnë ndërtimin në mënyrë pasive”, është shprehur Besim Hoti, zëdhënës i Policisë së Kosovës në Mitrovicë.

Ndërkohë, punëtorët në vendngjarje thonë se  nga fillimi i punimeve katër ditë me parë, ata nuk janë penguar në punën e tyre.

“Deri tani nuk kemi pasur asnjë telash nga asnjë”, thotë Abdi Çitaku, përgjegjës i ndërtimit.

Por, edhe banorët serbë nuk duket që po i shqeteson shumë ndërtimi i kësaj rruge. Megjithëse kjo çështje tashme është politizuar mjaft në mediat serbe.

“A e dini si aspak nuk me intereson nëse do të ndërtohet apo jo ura. Unë personalisht nuk kam ndonjë koment të veçante për këtë çështje”, shprehet Branko Savic, Banor i Prilluzhës.

Ndërtimi i kësaj ure kishte nisur qysh paraluftës së fundit por, për shkak të zhvillimeve në 99 ishin ndërprerë punimet.

Sipas projektit ura parashihet të ndërtohet në gjatësi prej 110 metra do të mundësojë lëvizjen për 12 fshatra që shtrihen përgjatë Çiçavicës, ndërkohë që do të përfitojnë 15 mijë banorë të kësaj ane.

I gjithë projekti është financuar nga komuna e Vushtrrisë ndërkohë KFOR ka siguruar që pavarësisht kundërshtimeve të serbëve do të sigurojë ndërtimin e saj.

Top Channel