Rrezik monopoli në tregun e gazit

12/08/2011 08:15

Përsëritet historia si me rastin e Petroliferës, ku anijet të ngarkuara
me gazin e lëngshëm nuk mund të shkarkonin në portin e ngritur
posaçërisht për këtë shërbim, në zonën e Vlorës.

Por nëse me rastin e Vlorës, në lojë ishte kontrata koncesionare dhe partneriteti me italianët (bashkë me qeverinë), në Porto Romano, në zonën e dhënë me koncesion nga shteti për shërbimin e anijeve me hidrokarbure po luhet një lojë e dyshimtë me qëllim përfitimi nga mungesa e konkurrencës dhe konfliktit të pastër të interesit.

Aktualisht, tregun shqiptar e furnizojnë me gaz nga rajonet vetëm dy shoqëri, të cilat që prej qershorit të vitit 2009 kontrollojnë të gjithë sektorin. Këto shoqëri disponojnë sipas ligjit depozita njëra në Porto Romano-Durrës dhe tjetra në Petrolifera-Vlorë, zona të caktuara nga shteti për ngarkim-shkarkimin e hidrokarbureve. Ky treg ka tërhequr interesin e të tjerëve investitorë.

Sipas Ministrisë së Ekonomisë dhe Tregtisë, te ciles i referohet “Shqip”, dy shoqëri të tjera po tentojnë të futen në sektorin e importit të gazit, sipas rregullave të caktuara nga shteti, ku pikësëpari kanë ndërtuar depozitat në Porto Romano, aty ky është edhe porti i dhënë me koncesion nga shteti shqiptar, i ndërtuar enkas për transmetimin e hidrokarbureve.

Pikërisht këtu nis konflikti, pasi koncesioni i portit kontrollohet me mbi 97 për qind nga një subjekt që importon dhe vetë gaz. Në këtë pikë, ankorimi dhe shkarkimi i anijeve me gaz në këtë port varen nga subjekti, që  zotëron depozita të gazit të lëngshëm.

Rasti i parë i futjes së 2 mijë tonëve gaz nga porti i Porto Romanos, rreth dy javë i parë rezultoi i pamundur për shoqërinë që tenton të jetë e treta në treg. Koncesionari ia ndaloi shkarkimin e sasisë duke e lidhur me çështje të sigurisë dhe mungesës së dokumentacionit. Aktualisht, anija vijon ende të mos shkarkojë, ndërsa pritet që në port të mbërrijë një tjetër sasi me 1500 tonë gaz nga një tjetër shoqëri (e katërta). Edhe për këtë shoqëri, koncesionari ka kërkuar dokumentacion shtesë lidhur me lejen e shfrytëzimit, certifikimin e depozitave etj. Të tilla kërkesa konsiderohen nga dy shoqëritë e reja si të parregullta për aq kohë sa nuk janë të vendosura në rregulloren e funksionimit të portit të miratuar nga OSHA dhe ligji i dhënies me koncesion së vetë portit.
Gazeta “Shqip” disponon një kopje të shkresës që Ministria e Ekonomisë ia përcjell koncesionarit të portit në Porto Romano ku i thotë se shoqëria që kërkon të importojë gaz i ka të gjitha dokumentet në rregull dhe se duhet lejuar vijimi i punës.

Të njëjtën vendim ka marrë edhe autoriteti i konkurrencës, duke i kërkuar koncesionarit të zhbllokojë importin. Madje, autoriteti ka nisur një hetim, ku të dhënat paraprake tregojnë se ka një përkufizim të tregut, duke i kërkuar koncesionarit të zbatojë vendimin brenda një afati të caktuar, në të kundërt do të gjobitet.

Pra, nga dy kompani që furnizojnë sot tregun, po tentohet të bëhen katër, duke rritur konkurrencën e lirë, për të realizuar qëllimin e dhënies dhe ndërtimit me koncesion të portit të vetëm të hidrokarbureve për investitorët privatë në territorin e Shqipërisë, gjithashtu dhe cilësinë, bashkë me çmimin të cilat ndikojnë direkt te xhepat e konsumatorit. Por vendimet e fundit të marra nga ana e shoqërisë që kontrollon koncesionin e portit dhe që është njëkohësisht edhe subjekti që importon vetë gaz nuk po bën të mundur liberalizimin e tregut, edhe pse këtë e kërkon Ministria e Ekonomisë, së bashku me dy ministritë e tjera, Mjedisit dhe e Transportit. Tani pritet të merret një vendim nga autoritetet për t’i dhënë zgjidhje problemit, jo vetëm tregtar për dy shoqëritë që duan të futen në treg, por edhe të vetë konsumatorëve. Kujtojmë që një ditë vonesë shkakton humbje për shoqëritë në masën e 14 mijë dollarëve.

Top Channel