Funerali i këngëtares britanike Amy Winehouse ishte privat, ku të pranishëm ishin thuajse 200 persona.
Trupi i saj u dogj në krematoriumin që ndodhet në zonën veri-perëndimore të Londrës, jo larg shtëpisë së saj.
Hiri do të bashkohet me atë të gjyshes, edhe ajo një kengetare xhezi, me të cilën Amy ishte shumë e lidhur.
“Natën e mirë engjëlli im, fli një gjumë të qetë. Nëna dhe babai nuk të kanë dashur kurrë më shumë”.
Këto ishin fjalët e të atit Mitch, gjatë ceremonisë së lamtumirës. Ai kujtoi çaste nga fëmijëria e Amy dhe përmendi edhe mikun e saj, regjisorin Reg Trevis, duke thënë se familja mezi priste t’i shihnin bashkë”.
Më pas ceremonia fetare vazhdoi e në një sinagogë, ku qendruan vetëm familjarët dhe të afërm. Familja do të mbajë disa ditë zi, apo “shivën”, sipas traditës hebraike.
Ende nuk është zbuluar shkaku i vdekjes së 27 vjeçares, e cilësuar si zëri më i bukur soul i shekullit 21-të.
Autopsia nuk mundi të përcaktojë shkakun e vdekjes së saj. Do të duhen ekzaminime të tjera toksikologjike që mbërrijnë pas 2 apo 4 javësh.
Gjatë kontrolleve në shtëpinë e saj, pas vdekjes nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.
Mediat japin versione të ndryshme për shkakun e vdekjes. “The Indipendent” shkruan se Amy kishte kënduar për disa orë, çka kishte zemëruar fqinjët.
Më pas vjen pohimi i një prej truprojave që e kishte gjetur të shtrirë, të pajetë.
Tabloidë të tjerë flasin për një overdozë si pasojë e një koktejli medikametesh dhe drogë, por deri tani këto nuk kanë gjetur ndonjë konfirmim.
Qindra fanse vazhdojnë të mbërrijnë pranë shtëpisë së saj, ku vendosin buqeta me lule, ndërsa kanë nisur të qarkullojnë zërat për publikimin e një albumi të tretë pas vdekjes, pas “Frank” dhe “Back to Black”.
Top Channel