Qeveria “shfryn” INSIG

27/06/2011 16:35

Pas 3 vjet tentativash të dështuara për të shitur kompaninë e vetme
shtetërore të sigurimeve, INSIG, qeveria është detyruar të ndryshojë
ligjin e privatizimit, duke hequr kufirin për cmimin minimal të shitjes.

“Ishte një vlerësim para se të fillonte kriza financiare, për rrjedhojë nuk mund të mbahej në përcaktime të tilla dhe realiteti tregoi se duhej ndryshuar edhe me propozimin e këshilltarit ndërkombëtar”, tha Edmond Spaho, kryetar i Komisionit të Ekonomisë.

Vlera minimale për 100 për qind të aksioneve të INSIG u vlerësua para disa vitesh nga gjigandi financiar KPMG, në shumën 40 milionë euro. Qeveria kishte vendosur kusht që kompania të mos shitej nën këtë cmim.

“Edhe konsulenti, i cili punon pranë Ministrisë së Financave ka këshilluar që kjo referencë të ndiqet për t’i hapur rrugë një vlerësimi të ri përpara se të dalë në shitje”, tha Linda Rusmali nga Ministria e Financave.

Në dhjetor të vitit 2008, qeveria lajmëroi se shiti 60 për qind të aksioneve të INSIG tek një kompani amerikane për 25 milionë euro. Por kompania papritur u tërhoq dhe nuk i pagoi paratë.
 
Edhe pse tregu i sigurimeve që nga koha kur u bë vlerësimi i parë i INSIG është rritur disa herë, paradoksalisht vlera e kompanisë do korrigjohet në ulje. Kompania ka vazhduar te hunmbe terren cdo vit dhe aktualisht ajo zoterion vetem 8.6 % te tregut

Top Channel