Korrupsioni, shtetit i vidhen 34 milionë dollarë

27/06/2011 08:10

Jo të gjitha taksat që paguajnë shqiptarët shkojnë në shërbim të
mirëqenies së tyre. Sikur të mos mjaftojnë shkeljet që zbulon Kontrolli i
Lartë i Shtetit, institucion kushtetues i pavarur, një tjetër njësi, në
varësi të qeverisë ka konstatuar abuzime të shumta.

Një raporti i dorëzuar këto ditë në Kuvend nga Ministria e Financave, lidhur me kontrollet e Auditit të Brendshëm për vitin 2010, bën të ditur se shtetit i janë shkaktuar miliona dollarë dëme në fushën e prokurimeve, mbledhjes së taksave, transaksioneve financiare etj.

Shkeljet me fondet publike janë konstatuar në fushën e menaxhimit financiar, në vlerën e 3.37 miliardë lekëve (34 milionë dollarë), ku më së shumti në sektorin e taksave (evazion fiskal). Ministria e Financave thekson se ‘sistemi i menaxhimit financiar’ është sektori më me risk, ku dhe korrupsioni është më i përhapur.

Ky sektor përfshin prokurimin publik, pagat, transaksionet financiare dhe mbledhjen e të ardhurave nga tatimet dhe doganat. “Aty ku paraja është më e përqendruar dhe me volum të lartë ka risk të konsiderueshëm për korrupsion”. Mbi bazën e kësaj analize, Drejtoria e Përgjithshme e Auditit të Brendshëm, në varësi të Ministrisë së Financave, thotë se, kontrollet duhet të jenë më të kujdesshme.

Kontrollet e kryera gjatë vitit 2010 zbuluan një mori shkeljesh që administrata publike kryente ndaj arkës së shtetit, sidomos për llogaritjen e dietave brenda dhe jashtë vendit, orët jashtë orarit, shpërblimet etj., në masën e 5 milionë dollarëve. Ndryshe nga KLSH, Auditi i Brendshëm nuk jep me detaje se cilat janë institucionet që kanë zbuar më tepër me fondet publike, por mjaftohet me publikimin e thelbit të problemit dhe rasteve në numër. Jo pak shqetësuese janë shkeljet që kryhen përmes tenderëve për investimet publike apo blerje pajisjesh dhe mobilim zyrash. Raporti thotë se shtesat e kontratave dhe tejkalimi i fondeve përbëjnë ‘rrugën’ sesi abuzohet me paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Ajo që konsiderohet më shqetësuese është fakti se këto zbulime janë vetëm një pjesë e asaj që duket, pasi gjatë kontrolleve të shumta, krerët e institucioneve ndërhyjnë te vartësit ‘që jo e gjitha të mos publikohet’. Duke qenë se çdo institucion ka strukturën e saj të auditit, punonjësit varen direkt nga ministri. Pavarësisht se, si sektor mbulohet nga Ministria e Financave sa u takon politikave dhe standardeve, audituesit janë pjesë e çdo institucioni qendror dhe lokal, dhe për rrjedhojë, zbulueshmëria e dëmeve vendoset në pozicion delikat. P.sh, është sikur punonjësi në Ministri të Ekonomisë, me pozicion pune auditues, t’i thotë ministrit se ka kryer shkelje me tenderët.

Ky handikap ligjor është trajtuar edhe herë të tjera dhe është ngritur me shqetësim nga ministri i Financave, i cili ka kërkuar disa herë zbatimin e standardeve të BE dhe pavarësi të plotë të audituesve.

Në raport janë publikuar edhe shumë fenomene të tjera negative, duke nisur nga niveli profesional i audituesve dhe deri te mungesa e eksperiencës. Kështu, gjatë vitit 2010, strukturat e auditit të Brendshëm kanë kryer 2377 misione auditimi kundrejt 1961 misioneve të planifikuara, ose 21 për qind më shumë, kur në vitin 2009 plani ishte arritur në masën 91 për qind. Për dikasterin e Bodes, ky ndryshim planesh konsiderohet tejet shqetësues dhe aspak profesional.

Top Channel