Aksident tragjik në Greqi

26/06/2011 13:00

Një aksident tragjik ka ndodhur në aksin rrugor Athinë-Kakavijë, në vendin e quajtur Terovë. Sipas policisë greke, autobusi i linjës Athinë-Tiranë, i kompanisë “Likometaj Travel”, u përplas me një kamion 20 kilometra në hyrje të Janinës. (UPDATE)

Policia deklaroi se autobusi, i markës “Benz” dhe me targë “AA115AJ”, goditi nga mbrapa kamionin duke lenë të vdekur në vend shoferin e dytë të autobusit, shtetasin Altin Paja, 37 vjec, baba i dy fëmijëve dhe duke plagosur disa të tjerë.

Për viktimën, Paja, ky ishte udhëtimi i dytë, pasi kishte pak ditë që kishte filluar punë në këtë firmë. Prej llamarinave të shkatërruara të autobusit u nxorrën të plagosur Gentian Seferi, drejtuesi i autobusit, Mimoza Spaho dhe djali i saj Aldi Spaho, 16 vjec.

Mjekët thanë se tre personat ndodhen në spital me fraktura, por për fat të mirë pa rrezik për jetën. Mjekët e spitalit të Janinës u dhanë ndihmën e parë edhe rreth 15 personave të tjerë, të cilët gradualisht janë larguar nga spitali pasi nuk kishin plagë serioze.

Autoritet konsullore shqiptare ndodhen në spitalin e Janinës dhe po plotësojnë procedurat e riatdhesimit të trupit të viktimës, si dhe të ndihmojnë pasagjerët e tjerë të autobusit të vazhdojnë udhëtimin e tyre drejt Shqipërisë.

Policia e Janinës deklaroi se po heton shkaqet e aksidentit. Ekspertë të saj do të kontrollojnë gjendjen teknike të autobusit të përplasur, pasi sipas tyre vendi i aksidentit konsiderohet si i vështirë për shkak të kthesave të shumta që ka.

Aksidenti i së djelës nxjerr në pah problemet që kanë linjat ndërkombëtare të udhëtarëve, sidomos ato me Greqinë, pasi shumica e kompanive që operojnë në këtë treg kanë automjete të vjetra dhe tejet të amortizuara për shkak të konkurrencës tepër të lartë në cmimin e biletës, i cili konsiderohet si me i ulti në Europë, vetëm 25 cent për kilometër, ndërkohë që në Greqi operatorët vendas vlerësojnë cmimin në 1 euro për kilometër.

Ministria shqiptare e Transportit është munduar të liberalizojë tregun, por pa vendosur kushte dhe parametra teknikë që duhen plotësuar prej kompanive të transportit të udhëtarëve, persa i përket vitit të prodhimit të autobuseve dhe kushtet teknike të tyre.

Top Channel