Vijon mbledhja e KQZ-së, pritet rezultati

25/06/2011 19:25

Rreth ores 18:00 ka nisur në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve mbledhja
që do të finalizohet me nxjerrjen e rezultatit për kryetarin e bashkise
së Tiranes.

Para miratimit te tabelave te rezultateve, perfaqesuesit partiake ne KQZ kane dhene argumentet e tyre pro dhe kunder. Perfaqesuesit juridike të Partise Socialiste kundërshtuan rezultatin duke renditur nje sere shkeljesh qe u vune re gjate procesit te numerimit te votave. Ndersa perfaqesuesit e Partise Demokratike kane mbrojtur proceduren dhe rezultatin e dale nga numerimi ne ambientet e KQZ-së.

Nderkohe eshte zbardhur me heret projektvendimi qe po diskutohet ne mbledhjen e Komisioni Qendror te zgjedhjeve. Vendimi sipas draftit parashikohet te merret me shumice te thjeshte votash dhe qe i hap rruge nje tjeter sage ankimore te rezultatit.

Projekt-vendimit shoqërohet nga tabelat përmbledhëse të 485 qendrave të votimit të 11 KZAZ-ve të Tiranës si edhe nga tabelat përmbledhëse të këtyre 11 KZAZ-ve, të tëra këto të ndryshuara pas numërimit të dytë të fletëve të hedhura në kutitë e gabuara. Procedura nisi përpara një jave, pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor.

Shifrat e reja nxjerrin fitues kandidatin demokrat Lulzim Basha me një diferëncë prej 93 votash. Ky vendim i komisionit qendror të zgjedhjeve duhet të miratohet me një shumicë të thjeshtë të të gjithë anëtarëve të pranishëm.

Por një skenar tjetër nuk e përjashton mundësinë që të kërkohet edhe shumicë e cilësuar, mbështetur në nenin 24.1.b e kodit zgjedhor, që thotë se “Konsiderohen të miratuara, kur votojnë “pro” jo më pak se 5 anëtarë të KQZ-së, vendimet lidhur me pranimin e ankimit kundër vendimit për miratimin e tabelës përmbledhëse për rezultatin e zgjedhjeve të zonës zgjedhore.

Me fjalë të tjera, nëse do të dalë ky argument, që vendimi të miratohet me shumicë të cilësuar, do të argumentohet se ky vendim është vijim i një kërkese ankimore që nga Kolegji u rikthye në KQZ dhe si i tillë, kërkon shumicë të cilësuar. Ata që do të mbështesin shumicën e thjeshtë do të argumentojnë se pikërisht ky vendim i kolegjit e anuloi vendimin e mëparshëm nr 711 të KQZ  për tabelën përmbledhesë të Bashkisë Tiranë, për të cilin ekzistonte kërkesa ankimore.

Duke e anuluar vendimin e KQZ, Kolegji e detyron KQZ-në të nxjerrë vendimi të ri. Dhe një vendim i ri për shpallen nga KQZ të fituesit për Tiranën kërkon shumicë të thjeshtë, njësoj si KZAZ-ja e Durrësit psh, shpalli fituesin në këtë qytet. Sigurisht këto mbeten skenarë brenda hapësirës që lejon ligji. Vendimmarrja do të mësohet vetëm në mbrëmje.

Top Channel