Syri i detit, roboti i parë shqiptar

25/06/2011 19:35

Porti i Durrësit ka hapur dyert e tij për të gjithë qytetarët dhe
kureshtarët që dëshirojnë të vizitojnë hapësirat e brendshme të tij,
anijet ushtarake, kapitenerinë dhe sallën operative të sigurisë.

Në pjesë të ndryshme të territorit portual janë organizuar aktivitete të veccanta, si dhe një program artistik për të gjitha moshat. Hapja e dyerve është shoqëruar kryesisht me numra akrobatikë, shfaqje artistike për fëmijë dhe lojëra për t’i lënë më pas vendin koncertit me këngëtarë të njohur të muzikës shqiptare, ndërsa pas mesnate porti ka qenë nën pushtetin e DJ Standford nga Hollanda.

Një ngjarje e rëndësishme e prezantuar në kalatën 4 të portit ka qenë dhe roboti i parë nënujor i prodhuar në Shqipëri, i njohur nga prodhuesit si  R.O.V  (Remotely Operated Vehicle). I emërtuar “Syri i Detit” roboti ka një peshë prej 36,6 kg dhe mund të kryejë regjistrime filmike deri në thellësinë 150 metra. Për prodhimin e tij ka punuar nje ekip i përbërë prej 4 vetësh dhe i drejtuar nga Erald Berberi.

Hedhja në ujë e tij ka tërhequr vëmendjen e shumë pjesmarrësve në aktivitetin “Open Port 2011” që do të vazhdojë deri në orët e para të ditës së diel.

Top Channel