Rreziku që vjen nga euro

13/06/2011 15:55

Të dhënat tregojnë se Shqipëria është sot një nga vendet jo anëtare të
BE-së me shkallën më të lartë të euroizimit, ku shumë produkte në tregun
vendas shiten me euro edhe pse monedha zyrtare është leku. Kjo situatë,
sipas ekspertëve ka disa rreziqe, jo vogla për ekonominë.

“Rreziku i parë në këndvështrimit e menaxhimit makro-ekonomik të vendit ka të bëjë me destabilitetin e funksionit të ofertës monetare, gjë që do të thotë që e rrit vështirësinë e një politike monetare eficente. Ndërsa, në një plan më të thjeshtë, sigurisht që ka implikime, në radhë të parë për gjendjen e sistemit bankar, por edhe ne menaxhimin e portofolit edhe nga cdo agjent tjetër ekonomik, përfshi edhe qytetarët normale”, thotë Selami Xhepa.

Ndërsa eksperti i ekonomisë, Adrian Civici shprehet se “Shqipëria është një vend strukturalisht importues dhe rreth mbi 70 përqind të zhvillimit të tregtisë së jashtme e zhvillojmë më vende të zonës së euros dhe natyrisht cdo forcim i euros transmetohet si rritje cmimesh ose kosto shërbimesh në tregun vendas”.

Situata nuk eshte pa zgjidhje. Adrian Civici sugjeron kufizim me ligj të transaksioneve në euro, kur bëhet fjalë për cmime të produkteve të zakonshme, për paga të dhëna në euro, për kudo ku euro përdoret artificiale”.

Por për Selami Xhepën procesi i euroizimit është pa kthim mbrapa. Ai thotë se cdo ndërhyrje e qeverisë apo Bankës Qëndrore për të kufizuar euron do ishte një dështim i sigurtë, ndaj propozon zgjidhjen e kundërt.

“Fakti që vendi ka një perspektivë europiane, unë nuk e shoh si alternative heqjen dorë nga euro, më tepër se sa krijimin e hapësirave për më shumë rol, duke e sjellë euroizimin e ekonomisë si një cështje praktike dhe jo si një cështje te sforcuar”, tha Xhepa.

Megjithate Xhepa thote se per momentin, qytetarët duhet të mbrohen nga Banka e Shqipërisë, e cila nuk duhet të jetë shumë liberale ndaj kursit.

Top Channel