Policia serbe po shton masat e sigurisë në Beograd në prag të  protestës së ultranacionalistëve, të revoltuar nga arrestimi i ish-gjeneralit serb të Bosnjës, Ratko Mlladic.

Partia Radikale Serbe këmbëngul se protestat në Beograd do të jenë paqësore. Udhëheqësja e kësaj force politike, Vjerica Radeta, i tha televizionit serb se ajo nuk pret trazira.

“Thirrja jonë drejtuar qytetarëve, anëtarëve dhe përkrahësve të Partisë Radikale Serbe është publike dhe është një ftesë për të marrë pjesë në një demonstratë paqësore”, u shpreh Radeta.

Mitingu do të zhvillohet jashtë Parlamentit. Grupi ekstremist i djathtë 1389 u kërkoi përkrahësve t’i tregojnë këtij regjimi tradhtarësh se nuk janë të frikësuar nga kërcënimet dhe represioni dhe se është gati të vihet në mbrojtje të heronjve serbë.

Një miting i ngjashëm në vitin 2008 për arrestimin e Radovan Karaxhic çoi në përleshje mes protestuesve dhe forcave të rendit. Ish-gjenerali Ratko Mlladic, i cili do të ekstradohet në Hagë i akuzuar për krime lufte, përmes avokatit të tij u bëri thirrje përkrahësve të ruajnë qetësinë.

Një tjetër shoqatë e ish-ushtarëve serbo-boshnjakë bën thirrje për një tjetër protestë kundër arrestimit të Mlladiçit në fshatin e Kalinovikut, ku ai ka lindur. Kjo protestë pritet të nisë pas mesditës.

I njohur dikur si njeriu i fortë i Bosnjes u akuzua në vitin 1995 për vrasjen e rreth 7500 djemve dhe burrave myslimanë në Srebrenicë dhe për krime të tjera. Megjithatë për disa serbë ai konsiderohet si hero kombëtar.

Ministri i Brendshëm serb tha se policia nuk do të përdorë forcën vetëm atëherë nëse do të ketë shkelje të paqes dhe rendit publik: “Ne do të marrim masa të parandalojmë përshkallëzimin e sjelljes ekstremiste”.

Ai tha se masat e sigurisë janë shtuar përreth ndërtesave qeveritare dhe ambasadave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA