Qeveria e Kosovës ka rezervuar një vend të vecantë për ta pritur shefen e diplomacisë europiane Chatherine Ashton. (UPDATE)

Kësaj radhe qyteti i Prizrenit u shndërrua në vendin pritës për zyrtaren e lartë europiane. Pas mëngjesit me takime në Prishtinë, në selinë e qeverisë e me pas në atë të EULEX-it, Ashton së bashku me kryeministrin Thaci u zhvendosën në Prizren.

Që nga ky qytet Ashton rikonfirmoi perspektivën europiane të Kosovës. Ajo inkurajoi vazhdimin e dialogut për zgjidhjen e cështjeve praktike, në mënyrë që të dyja shtetet të bëhen pjesë e Bashkimit Europian.

“Ky dialog është mënyra praktike për të siguruar se ne do t’iu përmirësojmë jetën njerëzve dhe do t’i lehtësojmë kushtet e tyre. Ajo që ne duhet të bëjmë është që të punojmë me të dyja palët, që të kryhen punët e nevojshme për të arritur një marrëveshje për çështjet praktike, dhe unë shpresoj se kjo marrëveshje do të arrihet shpejt”, deklaroi Ashton.

“Ne po punojmë për implementimin e kritereve demokratike që të përshpejtojmë të ardhmen evropiane të Kosovës. Vetëm një bashkëpunim i mirë mes Kosovës dhe Serbisë dhe fqinjëve mund të sjellë këtë të ardhme. Bisedimet kërkojnë një qëndrim evropian, i cili nuk po mungon”, u shpreh pas saj kryeministri Thaci.

Lidhur me situatën në Shqipëri baronesha Ashton nuk pranoi të marrë pyetje nga gazetarët. Në fakt ishte zëdhënësja e saj, Maja Kocjancic e cila refuzoi pyetjet të cilat kishin të bënin me situatën politike në Shqipëri.

Ajo në një farë mënyre paralajmëroi një vizitë të baroneshës Ashton në Tiranë, sepse tha se, “komentet për situatën atje do të bëhen gjatë vizitës sonë në Shqipëri”.

Nga ana tjetër, e pyetur a mund të hyjë Serbia në BE pa e njohur Kosovën tani pas arrestimit të Mlladic, shefja e diplomacisë evropiane u përgjigj se, rruga për në BE kërkon përmbushjen e shumë kritereve.

Pas konferencës Thaci dhe Ashton u nisën drejt objektit të Lidhjes së Prizrenit. Prizreni ishte mbushur me pjesëtarë të policisë, ndërsa si për të dëshmuar multietnicitetin Ashton fillimisht takoi një qytetar që i takon komunitetit boshnjak.

Bashkë me kryeministrin Thaci vazhduan drejt Lidhjes së Prizrenit, ku ajo u njoh me rëndësinë historike që ka ky objekt.

Por rruga e kryeministrit Thaci me baroneshën Ashton u nda pikërisht këtu. Baronesha vazhdoi rrugën e saj në këmbë nëpër qytetin e Prizrenit për të përmbyllur axhendën e saj në kishën e Shën Gjergjit.

E teksa te Lidhja e Prizrenit u njoh për rëndësinë e saj historike, në kishë baroneshës Ashton iu treguan edhe këtë herë fotografi të kishave të djegura gjatë trazirave të marsit në vitin 2004.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA