Rama: Ndërkombëtarët të ndërhyjnë sa më parë

20/05/2011 15:15

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama kërkoi prej ndërkombëtarëve që të
ndërhyjnë në Shqipëri sa nuk është vonë, për të ndalur masakrën
zgjedhore dhe dhunimin e njerëzve të pafajshëm.

Në një dalje për mediat, Rama akuzoi kryeministrin si frymëzues të dhunës ndaj protestuesve, më konkretisht ndaj dy djemve që morën pjesë në protestë e që sot ndodhen në spital, për shkak të plagëve të marra si pasojë e dhunës së ushtruar nga policia.

“Drejtuesit e Policisë do të jenë drejtpërdrejt përgjegjes të dhunës,nëse nuk nxjerrin para ligjit forcat që ushtruan aktin ndaj dy djemve”, tha Rama.

Kryesocialisti theksoi se nëse kryeministri nuk ndalet atëherë opozita nuk do të njohë qeverinë, parlamentin, institucionet e marra peng, por vetëm Kushtetutën e vendit.

Duke falenderuar komunitetin ndërkombëtar dhe Shtetet e Bashkuara për mesazhet e tyre, Rama kërkoi ndërhyrje, për të mos e lënë Shqipërinë të rrëzohet në tatëpjetën e rrezikshme, ku po e shtyn kryeministri Berisha.

“Ne i fituam këto zgjedhje me një rezultat të qartë, të ngushtë, por të pastër. Ne kemi qenë dhe jemi të gatshëm në të mirë të Shqipërisë”, tha Rama.

Top Channel