Rama: Donin të vidhnin fitoren

20/05/2011 23:50

Duke marrë shkas edhe nga reagimet e ndërkombëtarëve dhe raporti i OSBE/ODIHR, lideri socialist, Edi Rama në një dalje të vonë ka akuzuar kryeministrin Berisha dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve se tashmë kanë provuar se tentuan të vjedhin rezultatin e Tiranës, të cilën sipas tij nuk kanë për ta marrë kurrë.

“E përshëndesim me respekt dhe mirënjohje misionin e ODIHR-it për raportin e sotëm, që tregon qartë se në aspektin ligjor e e procedurial, KQZ ka ndryshuar rregullat e lojës 3 ditë pas numërimit të votave, kur ka informuar edhe vetë misionin për fitoren tonë me 10 vota. Ndryshimi rregullave të lojës ka ardhur pas kërkesës publike të Saliut e zëdhënësve të tij dhe gjithcka ka rrëshqitur nga binarët e ligjit dhe të moralit institucional të KQZ-së. Pasi ka trajnuar komisionerët që t’i konsiderojnë të pavlefshme votat e hedhura në kuti të gabuara dhe pasi ka shkelur në tërësi cdo sens ligjor, procedurial e logjik, nën trysninë e Saliut, Komisioni Qendror i Vjedhjeve ka shkatërruar procesin për të nxjerrë humbësin fitues. Madje jo thjesht me votat e numëruara nga kutitë e gabuara, por edhe me vota të hedhura në ato kuti pas mbarimit të garës nga hajdutët e manipulatorët e Saliut. Edhe këtë po e shohin të gjithë dhe ne e kemi të faktuar hap pas hapi”, tha Rama.

Top Channel