Kolegji nxjerr rezultatin

20/05/2011 15:55

Gjatë kohës që zhvillonte protesta kundër asaj që e konsideron tjetërsim
të votës, Partia Socialiste përgatiste skenarin ligjor për të bllokuar
KQZ-në.

Në heshtje dhe pa u bërë publike për mediat, më 16 maj në orën 20.15 Partia Socialiste ka depozituar një ankim në KQZ, i protokolluar me nr 4449, ku i kërkon KQZ-së të nxjerrë tabelën përmbledhëse të njësisë bashkiake nr 5. KZAZ-ja e kësaj njësie, ku shumicën e kanë komisionerët e propozuar nga Partia Demokratike, më 16 maj ka marrë vendimin nr 37, ku refuzon të firmosë tabelën përmbledhëse të krejt njësisë. Tabela përmbledhëse e njësisë del si shumatore e tabelave përmbledhëse të qendrave të votimit.

Socialistët thonë se tabelat përmbledhëse të qendrave janë firmosur të tëra, përfshirë edhe kutinë e fundit. Në këtë moment, demokratët mendojnë se kanë fituar. Ndaj ata e firmosin pa problem tabelën përmbledhëse të kutisë së fundit. Kjo i hap rrugë KZAZ për të nxjerrë tabelën përmbledhëse të krejt njësisë 5, gjë që KZAZ nuk e bën.

Ankimi i Partisë socialiste në KQZ i kërkon pikërisht KQZ që në bazë të nenit 122 dhe 35 të Kodit Zgjedhor ta miratojë KQZ tabelën përmbledhëse të njësisë 5. Cfarë thotë neni 122 i Kodit? Në pikën 3 thuhet se tabela Përmbledhëse e Rezultateve të Zgjedhjeve të Zonës së administrimit zgjedhor miratohet me vendim të KZAZ- së. Në të kundërt, pra kur KZAZ nuk merr vendim, veprohet në përputhje me nenin 35 pika 5 e këtij Kodi.Neni 35.5 parashikon se në rast se KZAZ-ja nuk arrin të marrë vendim brenda afatit përkatës, çështja i dërgohet brenda 24 orëve për shqyrtim KQZ-së nga kryetari i KZAZ-së ose të paktën nga dy anëtarë, ose mund të ankimohet në KQZ nga subjekti zgjedhor i interesuar.

Dhe Partia Socialiste këtë ka bërë ka ankimuar mosmarrjen e vendimit prej KZAZ-së. Mirëpo KQZ nuk i ka dhënë udhë kësaj kërkese dhe e ka lënë në heshtje. KQZ që i është futur një procedure tjetër, ka argumentuar se tabelat nuk janë përmbyllur, se mungon pra ajo e njësisë 5. Përfaqësuesit e Partisë socialiste në KQZ e kanë ngritur zërin për gjëra të tjera, duke e lënë enkas në heshtje këtë cështje. Por nga ana tjetër, ata shikonin orën. Të enjten në orën 11.00 ka përfunduar afati 72 orësh i KQZ-së për të marrë në shqyrtim kërkesën ankimore dhe për t’i dhënë zgjidhje. Të premten në orën 10.00 Partia Socialiste ka depozituar në Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit Tiranë këtë kërkesë-padi, ku i kërkon Kolegjit që në bazë të nenit 158 të detyrojë KQZ të marrë vendim. Mirëpo shqyrtimi i kësaj cështje nga kolegji, sipas socialistëve pezullon procedurën që po ndjek aktualisht KQZ.

Kodi i Procedurës Civile thotë se asnjë institucion tjetër nuk ka të drejtë të pranojë për shqyrtim një mosmarrëveshje civile që po shqyrtohet nga gjykata. Me detyrimin për KQZ që të përpilojë tabelën përmbledhëse të njësisë 5, Kolegji sipas socialistëve duhet ta detyrojë KQZ të marrë vendim edhe për nxjerrjen e rezultatit dhe miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Zonës Zgjedhore Bashkia Tiranë dhe shpalljen e kandidatit fitues për këtë Bashki, në bazë të rezultateve të miratuara.

‘Është e tillë- thuhet ne kërkesë padi, – pasi neni 123 i Kodit Zgjedhor nuk kërkon asnjë kusht tjetër paraprak”. Në Partinë Socialiste besojnë se me këtë lëvizje do ta vënë KQZ me shpatulla pas murit. Kolegji ka 10 ditë kohë për të zhvilluar seancën, e cila do të jetë padyshim një nga momentet më të rëndësishme të këtyre zgjedhjeve.

Top Channel