PS, padi penale Ristanit

19/05/2011 19:55

Ashtu sic kishte paralajmëruar, Partia Socialiste ka dorëzuar në Prokurorinë e Përgjithshme një kallëzim penal ndaj kreut të Komisionit Qendror të Zgjdhjeve, Arben Ristani dhe tre anëtarëve të tjerë të shumicës në këtë komison.

Sipas socialistëve, katër zyrtarët e KQZ-së kanë konsumuar veprën e shpërdorimit të detyrës, falsifikimit të dokumentave dhe rezultateve të zgjedhjeve në bashkëpunim, shkelje këto të parashikuara në disa nene të Kodit Penal.

Sipas kallëzimit të dorëzuar nga PS, në datë 14 maj, ditë kur kreu i bashkisë Rama fitoi zgjedhjet me 10 vota diferencë, KQZ në të kundërt të detyrimit për të publikuar listat e rezutateve hartoi një skemë manipulative për të deformuar këtë rezultat.

Në mbështeteje të kësaj skeme, sipas PS, erdhën edhe strukturat elektorale të kandidatit Basha, të cilat, sic shkruhet në kallëzim, krijuan dhe shpikën prova të paqëna në KZAZ e Tiranës, me qëllim rivlerësimin e votave të pavlefshme si e vetmja rrugë për të përmbysur rezultatin e vendosur nga shqiptarët.

Për socialistët, e gjithë kjo procedurë e ndjekur duke nisur nga akti normativ është në shkelje të të paktën tre neneve të Kodit Zgjedhor lidhur me kompetencat e KQZ, llojet e akteve dhe natyrën e tyre, si dhe vendimmarrjen e KQZ, pasi duhet kourumi prej 5 anëtarësh në këtë vendimmarrje.

Socialistët theksojnë se administrata e KQZ-së është e përgatitur për këtë skemë ndaj ka vënë menjëherë në dispozicion kutitë dhe materialet zgjdhore, të cilat sipas PS janë transportuar në këtë komision pa vendimmarrje ligjore duke krijuar kështu mundësinë për falsifikime dhe manipulime.

Kjo verifikohet edhe nga kodet e ndryshme të mbylljes nga ato të procesverbalit, cka nënkupton sipas kallzimit, se ka patur ndërhyrje të paligjshme mbi to.

Një tjetër tregues ka qenë edhe vulosja e një flete votimi me një vulë që i përkiste një qendre tjetër, dy fakte këto që sic shkruhet në dokument janë bërë tashmë publike.

Në kallëzim Partia Socialiste rendit edhe një sërë shkeljesh të tjera të anëtarëve të KQZ në favor të skemës manipulative e për këtë shkak kërkohet administrimi nga ana e prokurorisë e të gjitha provave që verifikojnë gjithcka thënë sa më sipër.

Socialistët, duke iu referuar fyerjeve dhe sjelljeve jo normale të kreut Ristani, kërkojnë gjithashtu kryerjen e ekspertizës toksikologjike dhe vlerësimin e gjendjes psikike të tij.

Top Channel