Internacionalia Socialiste: Mbështetje PS

19/05/2011 20:50

Ka reaguar edhe Internacionalia Socialiste për zhvillimet e fundit në Shqipëri pas përfundimit të numërimit të votave për kryetarin e Bashkisë së Tiranës.

Pas mbylljes së procesit të numërimit më 14 maj, thuhet në një deklaratë, Edi Rama është fitues i garës për kryetarin e bashkisë së Tiranës.

“Procesi i gjatë i numërimit u zhvillua nën një vëzhgim rigoroz nga komisionerët e të dyja partive, të cilat verifikuan dhe firmosën procesverbalet për 485 kuti votimi të Tiranës”, thuhet në deklaratë.

Veprimin e KQZ-së për të numëruar edhe votat e hedhura në kutitë e gabuara, Internacionalja Socialiste e cilëson si një veprim anti-demokratik me qëllim manipulimin e rezultatit të zgjedhjeve.

“Ndryshimi i rezultatit fillestar është tejet shqetësues, duke e futur edhe njëherë në rrezik legjitimitetin e votës në Shqipëri dhe njëkohësisht rrit klimën e tensionuar në vend”, theksohet në deklratë.

Internacionalia Socialiste mbështet deklaratat e liderit të Partisë Socialiste, Edi Rama për gjetjen në mënyrë demokratike të një rruge legale dhe poltike për të ecur përpara, “pasi një demokraci funksionale kërkon zgjedhje të lira dhe të drejta, përfshirë respektin për rezultatin e 8 majit, pasi këto zgjedhje ishin një test i fortë për kredencialet e demokracisë drejt integrimit Europian”.

“Është jetike për Shqipërinë që procesverbalet e firmosura dhe të certifikuara nga komisionerët e të dyja partive të respektohen”, thuhet më tej në deklaratë.

Top Channel