Eksploziv në banesën e kryebashkiakut

19/05/2011 02:15

Një sasi lënde plasëse është gjetur në banesën e kryetarit të Bashkisë së Maliqit, Gëzim Topciu.

Ka qenë një pako me peshë mbi 1 kilogram me lëndë plasëse artizanale e paketuar dhe e mbështjellë me natriban dhe fitil ndezës, e cila është hedhur nga persona ende të paidentifikuar në oborrin e shtepisë private të kreut të bashkisë.

Sipas kryebashkiakut të Maliqit edhe pse fitili është tentuar të ndizet nga autorët, nuk ka mundur të shpërthejë pasi është lagur nga reshjet.

Policia ka nisur hetimet për këtë rast duke thënë se ende nuk është përcaktuar lloji i lëndës plasëse.

Kreu i Bashkisë së Maliqit ka thënë se motivet janë politike pas fitores së tij në zgjedhjet lokale.

Lënda që është gjetur në banesën e kreut të bashkisë është dërguar për ekspertizë në laboratorin shkencor të Tiranës.

Në zgjedhjet e fundit lokale fitues i Bashkisë së Maliqit është kandidati i koalicionit të majtë.  

Top Channel