Barroso anulon vizitën në Tiranë

19/05/2011 15:00

Perfundimisht Presidenti i Komisionit Evropian Hose Manuel Barroso nuk
vjen ne Tirane. Komisioni Europian deklaroi zyrtarisht dhe pse-ne.(UPDATE)

“Presidenti Barroso vendosi të shtyjë vizitën e tij në Shqipëri, të parashikuar për 20 Maj. Qëllimi i këtij udhëtimi, siç është shpjeguar edhe gjatë këtyre ditëve, ishte për të disktuar perspektivën e Shqipërisë, si dhe rrugën e duhur drejt integrimit, veçanërisht zbatimin e 12 kritereve kyçe të paraqitura nga Komisioni në raportin e progresit të vitit 2010.
Por, tensionet që burojnë nga vazhdimi i numërimit të votave do t’i dëmtonin pa dyshim bisedat e presidentit Barroso me udhëheqësit politikë të vendit, gjendje e cila sipash nesh nuk do të çonte në takime produktive.Ky është konteksti prej të cilit buron shtyrja e udhëtimit dhe besoj që keni parë dhe deklaratën e zevendesPresidentes Ashton. Ndërkohë, pjesa tjetër e udhëtimit do të vazhdojë sipas kalendarit”, tha zëdhënësja Pia Ahrenkilde Hansen,

Kurse Natasha Butler, zëdhënësja e Komisionerit Fule u shpreh: “Ajo që mund të them është se procesi zgjedhor po merr kohë dhe për momentin ka tensione që lidhen me vazhdimin e numërimit të votave. Kjo është arsyeja pse vendosëm të shtyjmë vizitën, siç e shpjegoi edhe Pia. Prandaj dhe Presidenti shtyu këtë udhëtim, apo këtë vizitë, deri kur situata të jetë normalizuar. Pra po flasim për një situatë të veçantë.”

Natasha Butler u pyet te sqaronte nese “situata e tensionuar” perbente rrezik “fizik” per Presidentin e KE-se Barroso, apo nenkuptonte se vendi nuk meritonte ne kete “situate” mesazhe pozitive per integrimin. Secila zedhenese percolli mesazhin respektiv.

“Në lidhje me anulimin e vizitës ne e bëmë shumë të qartë pse u desh ta anulonim atë. Kjo sepse sipas këndvështrimit tonë do të jetë e vështirë të përmbushet qëllimi i udhëtimit, thënë troç, bisedime për perspektivën europiane dhe se si mund të ecim përpara në rrugën europiane të vendit, në të gjitha dimensionet që përfshin kjo gjë. Ne kemi folur gjatë këto ditët e fundit për Shqipërinë dhe nuk dua të përsëritet, por kjo është rësyesja kryesore e anullimit të vizitës. Një vizitë, e cila siç shihet, nuk gëzon klimën e duhur për takime produktive”, tha Pia Ahrenkilde Hansen

“Siç e dini, Komisioni Qendror Zgjedhor ka një rol kyç në garantimin, pikë së pari, se të gjitha rregullat janë respektuar, dhe se kuadri ligjor po zbatohet dhe po respektohet për rinumërimin e votave. Por ka edhe një rol kyç për sigurimin e transparencës së procesit. Pra mendoj se duhet të lëmë KQZ-në të bëjë rolin e saj. Nevojitet që ajo të përmbushë mandatin e saj dhe të luajë rolin e saj në transparencë të plotë. Është e rëndësishme që të ishte mbyllur procesi zgjedhor sa më shpejt të ishte e mundur, gjë të cilën e thashë që dje, e të shohim rezultatet”, tha Butler.

Nje dite me pare TCH paralajmeroi nje “anullim” te mundshem te vizites Barroso ne Tirane, bazuar ne burimet prane kabinetit te Presidentit. “Reflektimi” mbi kete vizite u shkaktua menjehere pas tensionimit te situates brenda dhe jashte KQZ-se. Konkluzioni ishte: “Do vinim t’ju flisnim per integrimin tuaj ne BE, po ju nuk jeni pjekur ende politikisht, nuk kemi c’te flasim tani”.

PERGATITI: Arta Tozaj

Top Channel