Ashton: Nxirrni rezultatin

18/05/2011 22:45

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian, Catherine Ashton ka reaguar mbi zgjedhjet lokale në Shqipëri.

“Pas votës së 8 Majit, ne kemi vëzhguar numërimin e votave dhe kemi pritur publikimin e rezultatit zyrtarisht, përpara se të shprehnim qendrimin tonë përfundimtar”, shprehet Shefja e diplomacisë europiane.

Në komunikatën për shtyp, Ashton sqaron se “rezultati i ngushtë në zgjedhjet për kryetar Bashkie në Tiranë do të thotë se të dy palët duhet të arrijnë të kapërcejnë mosmarrëveshjet dhe të gjejnë zgjidhje. Zhvillimet e sotme kanë treguar ndjeshmërinë e situatës politike”.

Më pas Përfaqësuesja e Lartë u bën thirrje udhëheqëseve politikë, vecanërisht në Tiranë, që të finalizojnë procesin, në mënyrë konstruktive dhe duke patur në fokus të ardhmen e vendit.

“Kjo duhet të bëhet në kuadër të institucioneve ekzistuese dhe brenda rregullave ekzistuese ligjore, kuadrit dhe praktikave”, shprehet Ashton, e cila e mbyll mesazhin e saj ndaj Shqipërisë duke kujtuar se “të gjithë udhëheqësit politikë mbajnë një përgjegjësi të veçantë për të mos vënë në rrezik jetët e qytetarëve”.

PERGATITI: Arta Tozaj

Top Channel