Akti i Ristanit, tension në KQZ

17/05/2011 22:25

Cështja e rezultatit të Bashkisë së Tiranës mori papritur një zhvillim të ri. Në mbledhjen e paradites kryetari Arben Ristani tha se KQZ duhet t’i japë zgjidhje cëshjes së fletëve të votimit të hedhura në kutitë e gabuara.

Argumenti ngjalli debat në sallë mes kryetarit Ristani, përfaqësuesit ligjor të Partisë Demokratike, Njazi Kosovrasti dhe përfaqësuesit ligjor të Partisë Socialiste, Genc Gjoncaj që kërkoi certifikimin e rezultatit të Tiranës.

Mbledhja u pezullua për t’i lënë kohë administratës të përgatiste projekt-vendimin. Në projektin e përgatitur parashikohet se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet t’ua shpërndajë fletët e votimit të hedhura në kutitë e gabuara kandidatëve që u përkasin.

Mirëpo ky proces mund të bëhet vetëm pasi të ketë përfunduar procesi i numërimit të votave për të gjitha njësitë bashkiake të Tiranës dhe tërë kutitë të jenë hapur.

Pak përpara rifillimit të seancës, në KQZ mbërriti pjesa më e madhe e grupit parlamentar socialist.

Në këto kushte mbledhja u pezullua. Zëdhënësi deklaroi se mbledhja nuk mund të rifillojë pa u vendosur qetësia. Kurse nënkryetarja e KQZ Dëshira Subashi e cilësoi projekt-vendimin si në kundërshtim me ligjin.

Pak më vonë policia u kërkoi deputetëve socialistë të lirojnë ambientet e Komisionit. Ndërkohë situata ka provokuar lëvizje të shumta diplomatike.

Top Channel