Është ora 7, edhe pse ditë e diel Besimi po bëhet gati të shkojë në punë, nga e cila do të kthehet në orët e vona të natës. Profesioni që ai ka zgjedhur bën që edhe fundjavën t’ia përkushtojë punës me të cilën mban familjen.

“Taksia është një punë pa mbarim, kështu që edhe në ditën e diel ne jemi të angazhuar në punë. Një nga arsyet është se nuk duam të humbasim klientët”, thekson Besimi.

Po mbushen 20 vjet si taksist dhe Besimi kujton shumë pak të diela të kaluara pranë familjes. Vetëm në raste festash apo gëzimesh të rralla familjare. E gjithë kjo sepse puna e tij kërkon të jesh aty çdo ditë në çdo moment.

“Nuk është e thënë që unë do punoj të gjitha ditët e diela sepse njeriu ka nevoja, gëzime, hidhërime, por mendoj se në shumicën e të dielave jam në punë”, shprehet Besimi.

Nuk ka një pronar konkret që e detyron Besimin të lodhet në punë atëherë kur të tjerët punojnë. Pronari i vërtetë është fitimi i paktë i ditëve të tjera të javës, që e shtyjnë atë që të kërkojë të fitojë edhe në ditën e vetme të përcaktuar si pushim. Ndryshe nga ditët e tjera të javës, kostoja e lëvizjes me taksi ditën e diel është më e shtrejntë, nga 250 lekë të reja në ditët normale, të dielën kjo kosto rritet në 350 lekë.

“Në krahasim me ditët e tjera është me hope, sepse ka ditë që ke punë pak. Por meqë është ditë pushimi taksia është pak më e shtrenjtë, rrugët janë më të lira”, tregon Besimi.

Teksa vjen dhe stacionohet në vendqëndrimin e përditshëm Besimi gjen aty edhe pak kolegë, punëtorë të shërbimit taksi që në këtë të diel ndodhen larg familjes. Megjithëse puna e detyron që të lëvizë shumë, jo vetëm brenda Tiranës, por edhe në rrethe të ndryshme të vendit, taksisti ynë tregon se gjithmonë përpiqet të gjejë kohë edhe për familjen.

“Unë gjithmonë gjej kohë edhe për familje, dal në mëngjes dhe drekën përpiqem që shumicën e herëve të ha me familje dhe pastaj prapë kthehem në punë deri në orën 10 ose 11 të darkës”, shprehet Besimi.

Në këtë të diel, rrugët e kryezytetit tonë të zhurmshëm janë pothuajse bosh. Por nuk janë vetëm taksistë që të dielën nuk e bëjnë pushim. Mes shumë profesioneve të ndryshme janë edhe luleshitëset që punojnë gjatë shtatë ditëve të javës. E tillë është edhe Landa e cila ka tre vjet që punon në një dyqan lulesh.

“Ditën e diel ne dalim në punë sepse gjashtë ditët e javës ne punojmë nga 6 orë dhe dita e diel është pak e ngarkuar dhe ka raste fejesash, martesash dhe gëzime të tjera familjare. Puna është më e madhe dhe duhet të jemi në shërbim të klientëve”, theksoi Landa.

Duke i shërbyer punës Landa detyrohet që edhe fundjavën ta kalojë larg gjësë më të shtrenjtë për këdo, familjes. E gjithë kjo sepse ajo duhet të kontribuojë për mirëqenien ekonomike të shtëpisë. Megjithatë ajo dëshiron që të paktën një ditë të kishte mundësi t’i përkushtohej vetëm familjes.

“Ditën e diel shitjet janë më të shumta se ditët e javës, kështu që duhet të dalim patjetër në punë. Ka edhe zbukurime makinash, nusesh, madje duhet të hapet dyqani shumë shpejt”, theksoi Landa.

Stina e pranverës ka rritur ndjeshëm kërkesën e njerëzve për simbolin e këtij sezoni, lulet. Kjo është një nga arsyet përse një dyqan i tillë është i hapur gjatë gjithë javës, ku nuk bën përjashtim as dita e diel. Dhe njerëzit që e mbajnë në këmbë biznesin dhe plotësojnë kërkesat e klientëve, janë përsëri punëtorët e së dielës.

“Është e natyrshme që dita e diel është pushim për të gjithë dhe ne do të dëshironim, megjithatë puna është shumë e ngarkuar dhe ne me këtë punë mbajmë familjen. Ne jemi të kënaqur se puna ecën shpejt dhe lulet janë shumë të bukura, kështu që nuk e ndjejmë fare të dielën që jemi në punë”, thotë Landa.

Nuk ka statistika që ta katalogojnë të dielën e shpenzuar në punë si një fenomen negativ. Shumicën e rasteve atë e quajnë një sukses të mrekullisë ekonomike dhe rritjes së punësimit. Por tryezat e lëna bosh nga kryefamiljarët, familjet e heshtura dhe fëmijët që e kalojnë ditën pa prindërit e tyre, janë akuza më elokuente ndaj asaj që ndodh sot me punëtorinë e braktisur e të shfrytëzuar të Shqipërisë së vitit 2011.

Top Channel