Gjirokastër, Berisha premton restaurimin

29/04/2011 19:30

Kryeministri i vendit Sali Berisha ishte para pak castesh në Gjirokastër, ku ka prezantuar kandidatin e Aleancës për Qytetarin, Genci Sinoimeri.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri ka deklaruar se, në 4 vitet e ardhshme qeveria e tij do bëjë gjithcka për restaurimin e Gjirokastrës dhe afrimin e saj me Tiranën.

“Zotohem se shumë shpejt distanca me Tiranën do jetë më pak se dy orë. Sot ne mblidhemi këtu sepse historinë e Gjirokastrës e kemi vendosur në kurorën e historisë botërore. Mblidhemi si njerëz që kemi realizuar ëndrrat tona, Gjirokastrën dhe Shqipërinë në NATO, Gjirokastrën dhe Shqipërinë e sigurtë”, ka deklaruar Berisha.

Duke folur për sukseset e qeverisë, kryeministri e ka vënë theksin, ashtu si dhe në fushatat e tjera, tek zhvillimi ekonomik.

“Në këto vite ne ia dolëm që ekonominë më të falimentuar të Europës ta nxjerrim në krye të Evropës. Ne dyfishuam cdo pension të ulët, rrogat e ulëta dhe të mesme. Ne rritën me 2 për qind eksportet. Ekonomia shqiptare është sot vibrante, entuziaste dhe e sigurtë”, ka nënvizuar Berisha.

Më tej kreu i qeverisë ka folur për investimet në infrastrukturë, të cilat sipas tij do të shtohen në vitet e ardhshme.

“Kemi asfaltuar 8 mijë kilometra, kemi ndërtuar korridoret më ekonomike e më të fuqishme të rajonit. Vitet që vijnë do të gjejnë Gjirokastrën, fshatrat dhe komunat e saj të asfaltuara njësoj si shtetet e Evropës”, ka shtuar Berisha.

Top Channel