Top Story, programi i Bashës

28/04/2011 22:50

Gjatë një mitingu para qytetarëve të Tiranës, kandidati i “Aleancës për Qytetarin”, Lulzim Basha shpalosi programin dhe prioritetet e tij në rast të marrjes së karriges së kryebashkiakut të Tiranës.

Basha premtoi mbrotjen e konsumatorit, hapjen e 30 mijë vendeve të punës, heqje të taksave dhe ulje për taksat e tjera, eleminim të mësimit me dy turne nëpër shkollat e kryeqytetit, ndërtimin e Unazës së Madhe dhe parkingje për të zgjidhur problemin e trafikut, ngritjen e një transporti publik modern si dhe tramvajin e Tiranës.

Këto objektiva të kandidati Basha u analizuan nga të ftuarit, gazetarë dhe politikanë në studion e Top Story, Shqipëria Vendos 2011.

Për analistin Skënder Minxhozi, i ndodhur në fushatë elektorale, Basha po premton gjithcka. Ai vuri në dyshim zgjidhjen e disa problemeve, si punësimi, të cilin, sic tha ai, kjo mazhorancë nuk e ka zgjidhur për 6 vjet dhe Lulzim Basha mban përgjegjësinë e tij politike si pjesë e kësaj mazhorancë.

“Ofron gjithcka dhe më shumë se gjithcka. Punësimi, kjo mazhorancë nuk e ka zgjidhur problemin e punësimit, papunësia zyrtare është 13-14 përqind, e lartë. Është sfidë për LSI-në dhe PD-në sepse brenda këtij premtimi paraardhës ka qenë edhe Lulzim Basha. Nuk e di si mund ta bëjë këtë Basha në krye të bashkisë. Premton uljen e cmimeve. Mendoj se në këtë treg është e vështirë në vetvete të ulen cmimet. Nuk e di se si një kryetar bashkie do të ulë cmimet. Basha tha se mban një qendrim tjetër ndaj qeverisë përsa i përket piramidës. Një koment ky që u hodh poshtë nga kryeministri Berisha që e quajti si një qendrim personal”, tha Minxhozi.

Por për deputetin e Partisë Demokratike, Mark Marku hapja e vendeve të reja të punës është e mundur duke rritur investimet, ndërsa ulja e taksave do të sjellë uljen e cmimeve, sipas tij. Marku tha se ka abuzime me cmimet në Tiranë dhe se bashkia mund të ushtrojë një kontroll më të mirë për të ndalur këto abuzime.

“Mund të rritet punësimi nga rritja e investimeve, ndërsa ulja e taksave ul cmimet. Disa politika cojnë në disa pasoja. Ka abuzime me cmimet dhe pushteti lokal ka mundësi të kontrollojë këto abuzime”, tha Marku.

Top Story solli për teleshikuesit një deklaratë të kandidatit Basha, dhënë për Neës 24 pak ditë më parë, ku ai flet për projektin e sheshit Skënderbej që po vihet në jetë nga Bashkia e Tiranës, duke u shprehur se ai ka qenë ndërmjetësi me palën kuvajtiane gjatë periudhës kur ishte Ministër i Jashtëm.

Të ftuarit diskutuan gjërësisht pavarësinë e pushtetit vendor nga ai qendror nëse në krye të Bashkisë së Tiranës vjen kandidati i mazhorancës.

Deputeti Marku tha se qeveria nuk ka tendencë të mbivendosë pushtetin e saj mbi atë vendor, pasi ky i fundit mbrohet me ligj. Ai tha se zoti Basha ka mundur të tregojë se mund të funksionojë autonom, aq më tepër që këtë po e bën në fushatë.

Në përfundim të diskutimit, analisti Minxhozi risolli edhe njëherë qendrimin e tij se Basha nuk është kandidati më i fortë që ka patur përballë Rama. Gjithësesi, tha Minxhozi, Basha është duke bërë një fushatë të zgjuar dhe suprizë për të gjithë.

Top Channel