Rama: Votë kundër kusarisë

28/04/2011 23:15

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama në vijim të fushatës zbriti në Komunën e Golemit.

Për liderin e opozitës 8 Maji duhet të jetë një votë proteste ndaj dështimeve të qeverisë, papunësisë e varfërisë,  që sipas zotit Rama sa vjen e rritet.

“Në 8 Maj do të shkojmë bashkë me të gjithë të tjerët në kutitë e votimit përzi me një demostratë popullore për të shprehur vullnetin sovran e për të thënë: kurrë më nënpunës të kërcënuar, kurrë më mësues të kërcënuar, kurrë më policë të kërcënuar e të vënë nën urdhëra të paligjshëm për bukën e gojës së familjes së tyre”, tha Rama.

Në 8 Maj tha kryetari i Partisë Socialiste shqiptarët duhet t’i thonë kurrë më kabinetit të kusarisë, i cili sic tha ai, ka lënë plot 1 milionë të papunë rrugëve pa asnjë të ardhur për familjet e tyre.

“Saliu u thotë shqiptarëve ejani në shtëpinë e qytetarëve, u thotë shqiptarëve të sillen dhe të votojnë si europianë, por ndërkohë, ai dhe pushteti i tij kur fiken ekranet sillen dhe veprojnë si talebanë me shqiptarët të cilët i kërcënojnë me bukën e gojës për t’u lexuar, kontrolluar dhe marrë votën”, deklaroi kreu socialist.

Duke kërkuar mbështetje për kandidatin e PS në këtë komunë, Agron Agalliun, zoti Rama u shpreh i sigurtë se në 8 Maj shqiptarët do të dinë t’i japin përgjigjen e merituar qeverisë aktuale.

“Magjia e demokracisë është e gjitha tek fakti që cdo njeri i zakonshëm, cdo i panjohur, deri në fshatin më të largët, përmes votës mund të gjykojë dhe të ndëshkojë qeverinë duke larguar shërbëtorin e keq dhe duke votuar për shërbëtorin e mirë”, tha Rama.

Top Channel