Minxhozi: Basha mbajti larg Berishën

28/04/2011 21:50

Skënder Minxhozi, kryeredaktor i revistës MAPO, deklaroi se Lulzim Basha, kandidati i “Aleancës për Qytetarin” në kryeqytet, po bën një fushatë “larg Berishës” dhe me qëllim që qytetarët e Tiranës dhe Shqipërisë “të harrojnë të shkuarën e tij politike”.

“Basha është një risi e panjohur për politikën tonë. Ka qenë nga më të lançuarit pas 2005-ës në PD. Ishte e nevojshme të vinin të rinjtë dhe Basha nuk ka mohuar se nuk kërkon të cënojë Berishën deri sa kohë që ai vendos të qëndrojë në krye të qeverisë”, deklaroi Minxhozi në Top Story.

“Basha po bën një akrobaci politike. Po kërkon të mbajë Berishën larg fushatës dhe kërkon që të harrohet e shkuara e tij problematike që mund ta pengonte gjatë fushatës”, shtoi Minxhozi.

Më tej, ai shpjegoi këtë fushatë: “Ai ka zhveshur spotet elektorale nga simbolet partiake që Olldashi dhe Ngjela i përdorën. Arriti ta mbajë Berishën larg. Gjithashtu, ai kërkon të zerojë kujtesën e banorëve të Tiranës ku në fund të janarit mendohej se nuk mund të kishte fare zgjedhje pas demonstratës ku kishte 4 të vrarë. Basha ishte në qendër të këtij zhvillimi ekstrem politik, por koha kaloi dhe ai po përpiqet të fshijë atë që lanë ngjarjet e fillimvitit. Se sa do t’ia arrijë nuk e di, por po bën një fushatë pozitive. Se sa do të harrojnë shqiptarët, kjo është për tu parë.”

Përsa i përket mungesës së debatit në media mes kandidatëve, Miinxhozi u shpreh: “Është një fushatë e çuditshme ku kandidatët mungojnë. Kemi pasur debate të mangëta me vetëm njërën palë në studio apo asnjë. Po luftohet nëpër sheshe ku njëra palë i konsideron zgjedhjet si lokale e tjetra si politike”

“Episodet e pakëndshme gjatë takimeve me popullin të kandidadëve fshihen dhe ne si publik e marrim lajmin “të qëruar” nga këto gjëra”, u shpreh Minxhozi mbi kasetat që partitë “u ofrojnë” mediave.

Top Channel