“Nën rrobat” e pamundësisë

25/04/2011 19:00

Provo të kryesh të gjitha punët e përditshme me një dorë, ose provo të rrish, për jo më shumë se gjysmë ore, në një karrige me rrota. Është e vështirë, thuajse e pamundur për shumë nga ne.

Iliri është 34-vjeçari që i pëlqen të ngrihet herët në mëngjes për të shijuar agimin dhe rrezet e para të diellit në ballkonin e shtëpisë. Por, ndryshe nga çdo moshatar i tij, atij i duhet të ndihma e familjarëve për të kryer veprimet e mëngjesit e për të qenë gati për të dalë me shokët.

“Unë kam 32 vjet që jam në këtë gjendje për shkak të një temperature të lartë. Familja e ka pasur të vështirë, por tani u bë kohë që nga ai moment dhe janë mësuar. Familja është drita ime, është ajo që më jep jetë, kur u ktheva nga greva më thanë mirë që erdhe se na u mbush shtëpia plot”,  tregon Iliri.

Familja për të është e shenjtë dhe nuk do të të donte që t’i rëndonte më shumë me kërkesa specifike, e megjithatë një pjesë e rëndësishme, pa të cilën nuk do të bënte dot është shoqëria.

“Unë kam shoqëri në çdo lagje të Tiranës dhe e kam të nevojshme shoqërinë, pa miqtë e mi nuk do të ndiehesha i barabartë me të tjerët dhe nuk do të isha ky që jam sot, megjithëse unë përpiqem që të dal nga kornizat dhe të shijoj jetën kështu si më ka ardhur. Në asnjë moment nuk kam dashur që të mbyllem brenda guaskës sime”, thekson Iliri.

Thuhet se në kohët e sotme, të kesh një mik të vërtetë, është njëlloj si të gjesh gjilpërën në kashtë, por kjo shprehje nuk është aspak e vlefshme për personazhin tonë, i cili e di me saktësi diagnozën e tij.

“Unë klasifikohem si paraplegjik fleksibël që do të thotë paralizim i të gjithë muskujve të trupit”, shprehet Iliri.

Ja çfarë na tregon Maksi për lidhjen e fortë miqësore që ka lindur prej 2 vitesh, por që po vazhdon brez pas brezi që nga gjyshërit e tyre. Siç ato e quajnë me shaka ne kemi “një miqësi gjaku”.

“Unë përpiqem që ta ndihmoj shumë mikun tim. Ne rrimë 12 orë bashkë, momentet e vetme që ndahemi nga njëri-tjetri janë në drekë e në darkë. Kemi një miqësi të vyer dhe unë kam shumë respekt dhe jam i prirur për t’i ndihmuar invalidët”, shprehet Maksi.

Personazhi ynë, megjithëse i destinuar në karriken me rrota, ka vizionin drejt një të ardhmeje më të mirë. Ai vazhdon studimet e larta dhe ka përzgjedhur degën e juridikut.

“Dua që në të ardhmen të angazhohem në organizata dhe të jap ndihmën time jo vetëm me anë të protestave paqësore e grevave, por edhe i specializuar nga ana juridike. Disa nga lëndët që më pëlqejnë më shumë janë: historia e Shqipërisë, e drejta kushtetuese apo edhe kriminalistika”, tha Iliri.

Vetëm pak ditë më parë u zhvillua një grevë urie 9-ditore e para dhe tetra-plegjikëve. Një nga pjesëmarësit ishte Iliri.

“Arsyeja kryesore që protestova ishte aksesi. Nuk kemi akses në institucione dhe madje indiferenca na ka bërë të ndiehemi shumë keq”, thekson Iliri.

Tashmë ai i është kthyer sërish rutinës së përditshme, megjithëse ende nuk e ka marrë veten.

“Familja është ajo që ka peshën kryesore dhe ne mundohemi që t’i japim një ndihmë sado të vogël, por megjithatë ne nuk e diferencojmë se Iliri është me aftësi të kufizuara”, deklaroi Maksi.

Duke e parë nga një këndvështrim krejt tjetër, ai ka vetëm një gjë që donte të bënte nëse do të vinte dita që të flakte tutje karriken me rrota.

“Më ka ngelur vetëm të marr pjesë në garat atletike”, shprehet Iliri.

FOTO GALERI
1/5
Një ditë e zakonshme e një paraplegjiku

Top Channel