Luarasi: Fushata, televizionet s’kanë faj

25/04/2011 22:00

Anëtarja e bordit të monitorimit të mediave, Iris Luarasi ka deklaruar se televizionet që transmetojnë fushatën elektorale duhet të tregohen të balancuara.

“Asnjë televizioni nuk i bën mirë as zhdukja e Bashës e as e Ramës. Duhet të jenë të dy kandidatët pasi është një garë demokratike”, ka pohuar Luarasi.

Megjithatë, në rastin e TCH që ka refuzuar kasetat e gatshme të ofruara nga PD për kandidatin e saj, ajo ka nënvizuar se është faji i këtij të fundit.

“Ajo që ka ndodhur nuk është TCH që nuk do të transmetojë Bashën, por Basha që nuk do që të xhirohet nga Top Channel”, ka deklaruar Luarasi.

Më tej anëtarja e bordit monitorues ka shprehur kritikat e saj edhe ndaj vendimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që sipas saj nuk kanë qenë adeguat.

“Një nga gjërat që nuk funksionojnë është vendimi i KQZ, që thotë se ndarja e kohës duhet t’i dërgohet para fushatës bordit të monitorimit. Ky vendim është marrë dy javë pasi fushata kishte filluar”, ka thënë Luarasi, e cila iu është përgjigjur edhe kritikave të bëra ndaj bordit.

“Nuk e kuptoj ku qenka kjo zotësi e bordit të medias për të propozuar ndryshime në Kodin Elektoral, kur këtë nuk e bëjnë partitë”, ka shtuar Luarasi.

Top Channel