Siri, tetë të vrarë në përleshje me policinë

18/04/2011 17:05

Të paktën tetë persona kanë mbetur të vrarë gjatë ditës së sotme në përballjet midis forcave të sigurisë dhe protestuesve anti-qeveritarë në qytetin sirian të Homsit, deklarojnë burime të aktivistëve.

Sipas “Associated Press”, përballjet u nxitën nga lajmërimi i vdekjes së një lideri të rëndësishëm fisnor në një burg. Ai ishte arrestuar disa ditë më parë.

Ky shpërthim i ri i dhunës vjen vetëm një ditë pasi mbetën të vrarë të paktën tre persona në veri të Homsit, pasi policia hapi zjarr ndaj turmës që po merrte pjesë në funeralin e disa viktimave të këtyre përleshjeve.

Ditën e shtunë, Presidenti Bashar al-Assad deklaroi se gjendja e jashtëzakonshme, në fuqi prej 48 vitesh, do të hiqet gjatë kësaj jave.

Pavarësisht premtimeve për reforma ekonomike dhe shkarkimit të qeverisë së mëparshme, protestat në Siri vazhdojnë për muajin e dytë rradhazi.

Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e vetë Assadit, si kushtin thelbësor për të ndërprerë valën e manifestimeve.

Top Channel