Libi, Britania në ndihmë të Misratës

18/04/2011 15:05

Britania e Madhe do të mundësojë evakuimin e pesë mijë civilëve të bllokuar në zonën e luftimeve në Libinë Perëndimore, tha një zyrtar i lartë i Ministrisë së Jashtme për BBC.

Sekretari i Zhvillimit Ndërkombëtar theksoi se situata në qytetin e Misratës po ndiqet me shumë vëmendje nga “Foreign Office”.

Misrata është i vetmi qytet i madh i kontrolluar prej rebelëve në pjesën perëndimore të vendit dhe qëndra e banimit me 300 mijë banorë bombardohet prej pesë javësh me artileri nga trupat e Gaddafi-t, të cilat gjithashtu qëllojnë me snajpera mbi qytetarët e pambrojtur.

Ministri i Jashtëm i Britanisë, William Hague, ndodhet në një mbledhje të OKB-së në Nju Jork, për të diskutuar për mënyrat e gjetjes së një zgjidhje për krizën humanitare në Libi.

Përveç se të përfshirë në një zonë luftimesh, civilët e Misratës ndodhen pa ushqime, ujë të rrjedhshëm, medikamente apo energji elektrike.

Britania do të marrë pjesë në evakuimin e civilëve duke financuar anijet e transportit të disa shoqatave civile.

Top Channel