Japoni, qytetarët kundër Kryeminsitrit Kan

18/04/2011 15:25

Shumica e japonezëve kërkojnë largimin e Kryeministit Naoto Kan dhe aprovojnë një taksë të re për tërmetin, zbuloi një sondazh, rezultatet e të cilit u publikuan sot.

70% e japonezëve, sipas të përditshmes prestigjioze “Nikkei”, mendojnë se qeveria e Kan duhet të zëvendësohet nga një tjetër, pasi përgjigja e saj ndaj krizës bërthamore ishte e ngadaltë ose joefikase.

Aktualisht, Kan është duke u përballur edhe me kritika të ashpra në parlament, për mënyrën se si administroi katastrofën që shkaktoi tërmeti dhe tsunami i datës 11 mars.

Një ligjvënës i opozitës deklaroi se qeveria ishte e papërgatitur që në fillim, ndërsa ofroi prova se Tokio nuk bëri asgjë, edhe pse testimet mbi tërmetet një vit më parë treguan se impianti bërthamor i Fukushimës ishte problematik.

Kan është mbrojtur duke thënë se qeveria e tij është duke bërë më të mirën dhe ka përjashtuar mundësinë e dorëheqjes, duke thënë se gjëja e fundit për të cilën ka nevojë vendi në këtë moment është një paqëndrueshmëri politike.

”Japonia ka përjetuar shumë kriza dhe fatkeqësi natyrore në të shkuarën, por unë besoj se kjo është kriza më e madhe në 65 vjet që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore”, deklaroi Kan në parlament.

Kostoja e dëmit material që shkaktoi tërmeti llogaritet të jetë rreth 300 miliardë dollarë, ndërsa 28 mijë persona janë shpallur të vdekur ose të humbur.

Top Channel