Afganistan, sulmohet Ministria e Mbrojtjes

18/04/2011 14:35

Ministria afgane e Mbrojtjes është bërë sërish shenjestër sulmesh. Militantët talebanë kanë arritur të sfidojnë edhe njëherë mekanizmat vendas të sigurisë me një operacion të beftë, për të cilin mendohet se mund të jenë ndihmuar edhe nga elementë të infiltruar në forcat e rendit.

Dy ushtarë u vranë dhe 7 persona të tjerë mbeten të plagosur kur një person i veshur me uniformë ushtarake, hyri në ndërtesë e hapi zjarr.

Burri që mbante në trup edhe një brez me eksplozivë, arriti deri në katin e dytë të godinës, ku ndodhet zyra e ministrit dhe ajo e shefit të shtabit të ushtrisë.

Ai qëlloi rojet dhe vrau dy bodigardë, por humbi jetën gjatë shkëmbimit të zjarrit, përpara se të mund të aktivizonte brezin me lëndë shpërthyese.

Në një deklaratë ku merrnin përgjegjësinë e sulmit, talebanët sqaruan se qëllimi i tyre ishte eleminimi i ministrit kukull të Drejtësisë, siç e quajtën ata.

Ky është sulmi i katërt vdekjeprurës brenda 5 ditëve të fundit në Afganistan, por ai shënon herën e parë që një atentator arrin t`u afrohet kaq shumë zyrtarëve të lartë vendas.

Në momentin e sulmit, ministri i Mbrojtjes Abdul Ëardak, nuk ndodhej në ndërtesë.

Top Channel