SHBA kërkon një “shtëpi” për Gedafin

17/04/2011 16:55

Shtetet e Bashkuara po kërkojnë një vend, kryesisht në Afrikë që të mirëpresë Muamar Gedafin nëse koloneli detyrohet të lërë Libinë.

Sipas New York Times, përpjekje intensive po bëhen për t’i gjetur pushtet-mbajtësit libian një vend azili, edhe pse raportet e shërbimeve të inteligjencës tregojnë se asnjë lider rebel nuk është i duhur për t’i zënë vendin kolonelit.

“Me një zgjidhje të tillë, pa humbje fytyre dhe pa rrezik procesi për Gedafin, Shtetet e Bashkuara shpresojnë të zbusin largimin e tij nga pushteti”, shkruan NYT.

Por vetë koloneli vazhdon të paraqitet sfidues dhe aspak i gatshëm për t’iu përgjigjur kërkesave të lërë pushtetin e të largohet nga Libia. Reagimi i tij ka qenë krejtësisht e kundërta, intensifikim i sulmeve mbi Misurata.

Tentativa e Uashingtoni për të gjetur një “parajsë të qetë” për Gedafin që nuk është nënshkrues i traktatit që kërkon dorëzimin e të kërkuarve nga Gjykata e Hagës, mund të shpjegojë, thotë NYT, se në ç’mënyrë Shtëpia e Bardhë po përpiqet të zbatojë deklaratën e Barak Obamës se Gedafi duhet të lërë Libinë pa shkelur refuzimin e presidentit amerikan për dërgimin e trupave ushtarake në terren.

Një nga arsyet pse lideri libian refuzon të lërë pushtetin dhe të largohet nga Libia, mund të jetë edhe fakti se mund të përfundojë në Hagë, për rolin e tij të supozuar në rrëzimin e avionit amerikan në Lokerbi të Skocisë në vitin 1988, si dhe për mizoritë e kryera brenda Libisë.

Top Channel