Japoni, kriza deri në fund të vitit

17/04/2011 12:15

Kriza bërthamore e Japonisë do të përfundojë brenda 9 muajve.

Kompania që menaxhon kompleksin e dëmtuar atomik Daichi të Fukushimës thotë se mund ta vërë situatën nën kontroll deri në fund të vitit. Vetëm për ndalimin e rrjedhjeve radioaktive do të duhen e pakta tre muaj.
Tepco planifikon gjithashtu mbulimin e godinës së reaktorëve, ndërsa ka transmetuar edhe pamje të reja filmike të centralit dhe shkallës së shkatërrimeve brenda tij.

Ishte qeveria japoneze ajo që urdhëroi kompaninë energjetike të vinte me një afat të qartë kohor për fundin e krizës, çka i jep mundësinë mijëra banorëve të shpërngulur nga zona përreth kompleksit të mendojnë rikthimin në shtëpitë e tyre.

Situata në Fukushima tanimë vendoset në një plan me aksidentin më të rëndë nuklear të botës, katastrofën e Cernobilit në 1986-n. Tepco e paraqiti planin e saj në kohën që sekretarja amerikane e shtetit, Hilari Klinton u nis drejt Tokios për t’i përcjellë autoriteteve japoneze mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara për rindërtimin e vendit pas fatkeqësisë së dyfishtë natyrore të marsit.

Japonia dhe Shtetet e Bashkuara po përgatisin një nismë të përbashkët për rimëkëmbjen pas tërmetit dhe cunamit që e pasoi, në të cilën do të angazhohen edhe sipërmarrje private. Zëvendëspresidenti i Tepcos, Sakae Muto, tha se përveç mbulimit të centralit bërthamor po planifikohet edhe dekontaminimi i mjedisit rreth e qark tij, ku niveli i rrezatimit është shumë herë mbi normën e lejuar.

 

 

Top Channel