SHBA, zbulohet vrasja 42 vjet më vonë

16/04/2011 12:00

Policia e shtetit të Masaçusetsit në SHBA arrestoi sot tre meshkuj, në lidhje me vrasjen e një djali 15-vjeçar në vitin e largët 1969.

Trupi i pajetë i John Joseph McCabe u gjet në një lëndinë të izoluar pranë qytetit të Louellit, më shumë se katër dekada më parë.

McCabe u rrëmbye pas një balloje nga tre adoleshentë dhe u la të vdiste nga asfiksia. Besohet se motivi i vrasjes ishte xhelozia për një vajzë.

Autoritetet nuk kanë bërë ende të ditur se çfarë solli arrestimin, por e përshkruan lajmin si një “kthesë të papritur të ngjarjeve”.

E përditshmja “Boston Globe” shkruan se arrestimi erdhi pasi një pakt për ruajtjen e sekretit u thye nga njëri prej tre vrasësve.

Të tre të arrestuarit janë pranë të 60-tave, por 57-vjeçari Ferreira do të gjykohet nga një gykatë të miturish, pasi ishte minoren kur u krye krimi.

Policia kishte arkivuar dosjen, pasi në hetimet e kryera në vitin 1969 nuk ishin gjetur të dhëna që mund të çonin tek identiteti i vrasësve.

Top Channel