Nigeri, nisin votimet presidenciale

16/04/2011 08:00

Nisën gjatë mëngjesit pas shumë vonesash zgjedhjet presidenciale në Nigeri, me liderin aktual, Goodluck Jonathan, që shihet si pretendenti kryesor.

Kundërshtari i tij kryesor është ish-drejtuesi ushtarak, Mumammadu Buhari, i cili gëzon një mbështetje të fortë midis muslimanëve në veriun e vendit.

Sipas sondazheve, Jonathan duhet të fitojë shumicën që në raundin e parë, duke shmangur nevojën e një balotazhi.

Si pasojë e mungesës së regjistrimit të saktë të popullësisë, të gjithë ata që duan të votojnë kanë kohë që të regjistrohen deri në orën 12:00 dhe vetëm më pas do të nisin të votojnë.

Presidenti aktual ka theksuar disa herë se i gjithë reputacioni i tij varet nga këto zgjedhje, ndërsa ka premtuar vazhdimisht se ato do të jenë të lira dhe të drejta.

Vendi më i populluar dhe prodhuesi më i madh i naftës në Afrikë, Nigeria, vuan prej kohësh prej korrupsionit të përhapur, ndërsa ka një histori të keqe vjedhjesh dhe dhune në votime.

Top Channel