Një banesë dykatëshe është shkrumbuar nga flakët mëngjesin e sotëm në zonën pranë sheshit Isa Boletini të Shkodrës, në vendin e quajtur rrugica e Arrës së Madhe. (UPDATE)
Shtëpia në fjalë është pronë e shtetasit Prel Pali, i cili në atë moment nuk ndodhej në banesë.
Fillimisht vatra e zjarrit është shfaqur në katin e dytë të shtëpisë dhe flakët janë vënë re nga komshinjtë, të cilët kanë lajmëruar me pas zjarrfikëset.
Brenda pak minutave zjarri ka përfshirë gjithë banesën, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, madje në banesë janë dëgjuar edhe shpërthime.
Një pjesë e catisë së shtëpisë është shembur dhe për pasojë tjegullat kanë goditur një kalimtare, duke e plagosur atë lehtë në kokë.
Dëmet materiale llogariten në miliona lekë, ndërsa dëme në njerëz nuk ka pasi brenda në banesë nuk ka patur njeri.
Është dashur më shumë se dy orë që zjarrfiksët të vënë nën kontroll situatën duke shpëtuar nga flakët dhe shumë banesa private që ndodheshin aty pranë.
Shkak i rënies së zjarrit, sipas policisë, dyshohet të jetë bërë një goditje e energjisë elektrike që ka provokuar shkëndija zjarri në sistemin e amortizuar elektrik të banesës.
Top Channel