Tunizi, ngrihen 18 akuza ndaj Ben Ali-së

14/04/2011 15:10

Autoritetet tuniziane lajmëruan sot se do të ngrenë 18 akuza të ndryshme për ish-presidentin Zine al-Abidine Ben Ali, midis të cilave edhe vrasje me dashje apo trafikim droge.

Ministri i Drejtësisë, Lazhar Karoui Chebbi, lajmëroi se në total janë 44 akuzat që do të ngrihen ndaj 72-vjeçarit, familjes së tij dhe disa ish-ministrave.

Një mandat ndërkombëtar arresti është në fuqi për Ben Ali-në, i cili besohet se urdhëroi personalisht policinë që të qëllonte ndaj protestuesve.

Ai u largua nga pushteti në janar, pas protestave të fuqishme popullore dhe u strehua politikisht në Arabinë Saudite.

Qeveria provizore që drejton për momentin Tunizinë përballet me presion të madh popullor për të ndëshkuar ish-funksionarët e vendit.

Top Channel