Libi, rebelët: Ndihmoni Misratën

14/04/2011 21:30

Rebelët i dërguan sot NATO-s një kërkesë për të bërë më shumë për të ndihmuar kryengritësit e rrethuar në qytetin e Misratës, ku sipas tyre është duke u konsumuar një masakër e vërtetë.

Prej disa javësh, qyteti i tretë më i madh i vendit dhe i vetmi i kontrolluar nga rebelët në perëndim është duke u bombarduar me mortaja dhe artileri, që kanë rrafshuar një pjesë të mirë të qytetit dhe kanë shkaktuar shumë viktima.

Burime të rebelëve thonë se luftërët e izoluar në qytet janë në grimcat e tyre të fundit të rezistencës, pasi kanë shteruar pothuajse të gjitha ushqimet e municionet.

Në takimin e organizuar më parë gjatë ditës në Berlin midis Ministrave të Jashtme të NATO-s, Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, foli për “masakrat” që po ndodhin në Misrata, po nuk foli për mundësinë e riangazhimit të Uashnigtonit në konflikt.

Për zhgënjimin e plotë të kryengritësve, në Berlin nuk u arrit asnjë marrëveshje për të intensifikuar luftimet, ndërsa deklarata e vetme e përbashkët e dalë nga takimi ishte ajo për “nevojën absolute” të largimit të kolonelit Gaddafi nga pushteti.

Top Channel