FBI bashkohet në ndjekjen e vrasësit serial

14/04/2011 16:05

FBI i është bashkuar kërkimeve të policisë së Nju Jorkut për një vrasës serial që po terrorizon banorët e metropolit më të populluar në SHBA.

Dhjetë trupa janë gjetur të varrosur apo të hedhur në bimësinë e një prej plazheve publikë më të preferuar të Nju Jorkut, ndërsa kufomat e identifikuara janë të gjitha vajza të reja, kryesisht prostituta.

”Kemi arritur të grumbullojmë një sërë objektesh në zonën e kërkimit dhe disa prej tyre janë të fragmentarizuara, prandaj nuk mund të themi çfarë janë. Megjithatë, është e qartë që dikush i ka sjellë atje”, deklaroi një zëdhënës i policisë, pa dhënë detaje se çfarë është zbuluar që mund të ndihmojë në kapjen e vrasësit.

Ndërsa policia e Nju Jorkut është vënë në kritika të ashpra për paaftësinë e saj për të çuar përpara kërkimet, ndihma e FBI-së duket se është më shumë se e mirëpritur.

Në kërkimet që do të vazhdojnë për trupa të rinj apo objekte që mund të çojnë në zbulimin e identitetit të vrasësit, FBI do të përdorë një teknologji të re, që mund të identifikojë mbetjet njerëzore nga ajri, në mesin e një zone të pyllëzuar.

Top Channel