Siri, qindra arrestime të reja

13/04/2011 13:25

Autoritetet po përdorin të gjithë forcën e tyre shtypëse për të ndërprerë revoltat në Siri, ndërsa mbi 200 banorë të qytetit bregdetar të Banias janë arrestuar gjatë ditës së sotme dhe mbrëmjes së djeshme, lajmëroi “Reuters”.

Pas disa javë protestat të dhunshme në Dera, duket se Banias është shndërruar në epiqendrën e lëvizjes anti-qeveritare, por presidenti Bashar al-Assad nuk ka ndërmend që të lejojë situatën t’i shpëtojë nga duart.

”Ata sollën një grup xhirimi dhe detyruan njerëzit që prangoseshin të bërtisin parrulla pro presidentit Assad”, deklaroi një dëshmitar që nuk deshi të identifikohej.

Sipas tij, regjimi është shumë i kujdesshëm ndaj reagimit ndërkombëtar për protestat në Siri dhe menjëherë sapo vërehet ndonjë dobësim i vëmendjes ndaj vendit të tij, politikat e Assad-it bëhen shumë më shtypëse.

Forca të shumta sigurie dhe të shërbimit sekret janë vendosur edhe në rrugët e Alepos, qytetit me prezencën më të madhe sunite në vend dhe një vatër e mundshme e shpërthimit të protestave.

Assad e ka deklaruar veten një aleat të Iranit të Ahmadinejad-it dhe një pioner të luftës kundër “kolonializimit hebraik”.

Megjithatë, shumica e 22 milion banorëve të Sirisë kërkon më shumë të drejta politike dhe përmirësimin e kushteve të jetesës.

Në revoltat që kanë shpërthyer prej pothuajse një muaji, mbi 200 persona kanë humbur jetën në përleshje me forcat e policisë.

Top Channel