Dështon nisma franko-britanike për Libinë

13/04/2011 14:25

Dështoi në takimin e Dohës, në Katar, nisma e Britanisë dhe Francës për të shtyrë NATO-n që të intensifikojë bombardimet mbi Libinë, lajmëroi BBC gjatë drekës.

Të dy vendet folën për nevojën e një përfshirje më të madhe në luftime për të bërë të mundur largimin nga pushteti të Gaddafi-t, por pjestarë të aleancës si Belgjika u shprehën kategorikisht kundër intensifikimit të bombardimeve apo planit të armatosjes së kryengritësve.

Në fjalimin e tij, Ministri i Jashtëm i Britanisë, William Hague, shkoi deri atje sa të kërkonte edhe planifikimin e një ndërhyrje tokësore.

Sipas një zyrtari të ushtrisë amerikane, i cili foli në anonimitet, Pentagoni nuk është i sigurt nëse dëshiron të zgjerojë për momentin përfshirjen e tij në këtë konflikt.

Midis 28 antarëve të NATO-s, Turqia, Polonia dhe Gjermania i janë kundërvënë ndërhyrjes në Libi dhe nuk marrin pjesë në sulm.

Avionët e Italisë mbështesin aleatët, por nuk marrin pjesë në bombardime. Holanda i ka dhënë leje pilotëve për të qëlluar vetëm mbi objektiva ajrorë, ndërsa forcat suedeze mund të hapin zjarr vetëm nëse sulmohen të parët.

Në takim ishin të pranishëm përfaqësues të Gaddafi-t dhe rebelëve. Të parët u shprehën se bombardimi i Libisë është një vepër “kolonalizimi i imperliazmit perëndimor”.

Top Channel