Bahrein, torturohen protestuesit

13/04/2011 16:30

Vdekja e një protestuesi në burgjet e Bahreinit ka bërë që organizata për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch të akuzojë policinë për tortura.

Ministria e Brendshme ka deklaruar se Ali Issa Saqer, 31 vjec, vdiq kur gardianët e burgut po përpiqeshin “ta bënin zap” pasi ai po shkaktonte kaos.

Por, foto të bëra para varrimit të Saqer tregojnë shenja ngjyrë lejla të shkaktuara nga kamazhiku në kurrizin e tij, ndërkohë që mavijosje të tjera kishte edhe tek kërcirët e këmbëve dhe tek shputat.

Ajo që binte më shumë në sy ishte një mavijosje në anën e majtë të kokës dhe shenja djegieje në nyjet e këmbëve.

“Kjo duket shumë më keq nga gjithcka që kam parë”, ka deklaruar Daniel Williams, ekspert i Human Rights Watch, duke iu referuar rasteve të tjera në Bahrein.

Saqer u arrestua më 13 mars për tentativën e vrasjes së një polici, ka deklaruar Ministria e Brendshme, e cila mohon torturat dhe thekson se raste të tilla do të hetohen.

Grupet e të drejtave të njeriut thonë se, që nga nisja e revoltave popullore, qeveria ka burgosur mbi 400 persona, përfshirë këtu aktivistë, mjekë dhe mbështetës të opozitës.

Ndërkohë, një i burgosur tjetër, Zakaraya Rashed Hassan, 40 vjec, ka vdekur për shkak të kushteve të rënda në burgje, ka bërë të ditur sërish Ministria e Brendshme.

Top Channel