Braktisja e shkollave

12/04/2011 16:15

Adelajda është 13 vjeç dhe kërkon të rifillojë shkollën. Në klasën e pestë është detyruar t’i braktisë mësimet pasi familja e saj nuk kishte asnjë mundësi financiare.

“Nuk kisha mundësi t’i blija librat dhe shumë libra të tjera”, tha Adelajda.

Motra e saj, e cila është më e madhe nuk ka mundur të shkojë në shkollë. Adelajda tregon se familjet rome, i martojnë vajzat sapo mbushin 13 vjeç, çka bën që ato të shkëputen nga shkolla.

Kjo traditë i ka diskriminuar rëndë këto vajza, pasi ato bëhen nëna, kur janë ende shumë të vogla.

“Disa nga shoqet e mia janë martuar 13-15 vjeçe. Kur nuk ke një të ardhme të sigurtë detyrohesh të martohesh dhe bësh fëmijë. Shumica e prindërve janë dakord me këtë. Mendoj se është një gabim të martohesh e vogël”, theksoi Adelajda.

Drejtoresha e shkollës 9-vjeçare e “Bregut të lumit” sqaron se varfëria, është një ndër arsyet kryesore të braktisjes së shkollës nga nxënësit të cilët shpesh detyrohen të bëjnë punëra të ndryshme.

“Vijnë në klasat e para, pastaj e braktisin në klasat e larta. Mendoj se janë një sërë faktorësh që ndikojnë si varfëria dhe mentaliteti”, tha drejtoresha e shkollës.

Top Channel